Skip to content

Afganët protestojnë në Kabul për shkak të politikave të SHBA-së dhe presionit ekonomik

Në qendër të Kabulit janë mbajtur protesta masive për shkak të ndërprerjes së ndihmave humanitare dhe ngrirjen e pronave të Afganistanit që nga mesi i gushtit, kur lëvizja talebane mori kontrollin e qeverisë së vendit.

Tubimi qendror u mbajt para kompleksit ku deri para disa kohësh ishte ambasada e SHBA-së. Qindra protestues mbanin pankarta dhe brohorisnin slogane në mbështetje të administratës talebane dhe slogane që dënonin politikat e SHBA-së dhe ndërkombëtare që nuk e kanë njohur ende qeverinë talebane.

“Paratë tona, e drejta jonë”, “Na ktheni paratë tona”, “Vdekje Amerikës” dhe “Afganët nuk do të ulin kokën para presioneve ekonomike”, janë disa nga mesazhet që protestuesit dërguan nga protestat e Kabulit.

Në emër të organizatorëve të protestës, kreu i Lëvizjes Popullore Afgane, Shefik Ahmed Rahimi tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të zhbllokojë urgjentisht rezervat financiare të Afganistanit dhe të rinovojë kanalet ndërkombëtare të ndihmës.

“SHBA-ja nuk ka ndjeshmëri ndaj njerëzve dhe ushtron presion ekonomik në Afganistan. Na morën dhe na bllokuan paratë. Kështu ata duan të gjunjëzojnë afganët. Populli ynë kurrë nuk do të dorëzohet para presioneve të tilla”, tha Rahimi.

Protestuesi Ahmedullah Muhammad tha se është i papunë dhe pret që vendi i tij të marrë atë që i takon.

Gjithashtu edhe Ihsanullah Niyazey tha se ka ardhur në protesta për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që SHBA-ja po i bën Afganistanit dhe ka shtuar se shpreson që kriza në Afganistan të përfundojë sa më shpejt