Qeveria e Nigerisë ka asgjësuar mbi 1 milion doza të vaksinës AstraZeneca me afat të skaduar, të cilat ishin dërguar në vend në kuadër të luftës kundër COVID-19.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Administrimit dhe Kontrollit të Ushqimit dhe Barnave (NAFDAC), Mojisola Adeyeye në një deklaratë për AA tha se shumica e 2.6 milionë dozave të vaksinës AstraZeneca që mbërritën në vend më 11-19 tetor u ka kaluar afati i skadencës.
“Në vend janë asgjësuar 1 milion e 66 mijë doza të vaksinës AstraZeneca që u ka kaluar afati i përdorimit”, tha Adeyeye e cila shtoi se “vendimi për asgjësimin e vaksinave u mor pas disa testeve të kryera. Asgjësimi i tyre ishte i nevojshëm për të mbrojtur nigerianët nga dëmtimi”.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Shëndetësore të Nigerisë (NPHCDA), Faisal Shuaib në një deklaratë për gazetarët ka bërë të ditur se pas kësaj qeveria nuk do të pranojë vaksinat që kanë një afat të shkurtër përdorimi.
Ministri nigerian i Shëndetësisë, Osagie Ehanire javën e kaluar përgënjeshtroi pretendimet se “muajin e kaluar janë aplikuar rreth 1 milion vaksina kundër COVID-19 me afat të skaduar”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Afrika CDC), Unioni Global i Vaksinave dhe Vaksinimit (GAVI) dhe grupet shëndetësore në një deklaratë të përbashkët më 29 nëntor theksuan se vaksinat kundër COVID-19 që u dhurohen vendeve afrikane duhet të kenë të paktën 10 javë afat përdorimi.
