Banorët e fshatit Piskovë kanë protestuar kundër krijimit të landfillit për mbetjet urbane të Përmetit, në territorin që i përket fshatit të tyre.
Ata thonë se zona që është përzgjedhur për tu ndërtuar ky landfill është zonë e mbrojtur, pasi është në afërsi të Parkut të Hotovës në zonën e Frashërit.
Sipas banorëve Bashkia e Përmetit nuk ka zhvilluar asnjë dëgjesë publike, dhe nuk ka marrë një konsideratë asnjë prej shqetësimeve të tyre.
Banorët shprehen se ndërtimi i këtij landfilli do të dëmtonte dhe rrjetin e ujit të pijshëm, ndërkohë që paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave të tyre.
“Do ketë plasur burim i madh uji, ata kanë gërmuar dhe e kanë mbuluar prapë, nuk kanë bërë asnjë lloj konsultimi me ne. E morëm vesh vetëm kur shkarkuan mjetet. Ne nuk dinim gjë fare, kanë bërë një gropë vdekje këtu”, shprehet një prej banorëve.
I pranishëm për të mbështetur banorët ka qenë dhe ambientalisti Sazan Guri dhe aktivistë të tjerë.
Banorët kanë hedhur akuza dhe në drejtim të ministres së Turizmit Mirela Kumbaro, e cila është edhe deputete e zonës, që të reagojë në lidhje me këtë skandal mjedisor.
“Zonjës ministre i kemi shkruajtur dhe në Facebook, ia kemi dhënë me fakte pamjet, ja kam nisur në replika në FB, i thashë që është zonë e mbrojtur, nuk më ka kthyer përgjigje fare”.
“Mundësisht i bëj thirrje asaj ministres që të ma heqë bllokun”, tha një tjetër banor për gazetaren e Fax News Ervina Shehaj.
…
/faxweb
