Skënderbeu e nis sezonin aty ku e la me trofe pasi fitoj edhe Superkupën e Shqipërisë në finale ndaj finalistëve të Kupës, Laçit. Kështu pasi ia kishte dalë të fitonte kampionatin dhe kupën sezonin e shkuar mbyll vitin më të suksesshëm me një tjetër trofe pavarsisht ndryshimeve në skuadër.
Ndeshja ka treguar dy fytyra me pjesën e parë kur të dyja skuadrat më shumë kanë studiuar dhe mbrojtur, e cila u mbyll në një barazim të bardhë pa gola.
Ndërsa në të dytën muzika ndryshon që me nisjen e saj kur Lushkja kalon kurbinasit në avantazh duke përfituar nga një rrëmujë në zonë. Përmbysja korçare vjen në mënyrë të menjëhershme me Alitin që barazon shifrat në zhvillimet e një goditjeje dënimi. Ndërsa Bregu fiton një penallti të kontestuar nga bardhezinjtë dhe që kthehet në gol nga Muzaka. Por është sërish Dejvi Bregu që bën debutimin e duhur me fanellën e korçarëve duke shënuar edhe golin e parë personal me këtë fanellë. Ashtu, si e hapën laçianët edhe e mbyllin serinë e golave me Xhixhën por nuk ndryshon asgjë me Skënderbeun që i jep Orges Shehit trofeun e parë, si trajner.
Tani skuadrat presin fillimin e kampionatit ndërsa Skënderbeu edhe një përgjigje nga KAS dhe UEFA për dënimin ndaj tyre që do të ndryshojnë edhe planet e skuadrës./Berati.TV
SKËNDERBEU 3-2 LAÇI
Shënues: Aliti 54′, Muzaka 64′ (p), Bregu 71’/ Lushkja 48′, Xhixha 84′



