Skip to content

Riaktivizohet pas dy vitesh koncensioni Thumanë-Kashar/ Dhurata për fundvit nga qeveria për Gener 2, pse u hoq dorë nga rekursi në Gjykatën e Lartë?

Në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2021 u vendos riaktivizimi i koncensionit Thumanë-Kashar, të cilin vetë qeveria e Edi Ramës kishte vendosur që ta ndërpriste në vitin 2019, me pretendimin se paratë do të kalonin për paktin e Universitetit.

Kështu kompania Gener 2 ka fituar betejën me qeverinë, pavarësisht akuzave për koston shumë të lartë të projektit, dhe dyshimeve për abuzime me ofertën e pakërkuar.

Ishte Gjykata Administrative e Apelit ajo që shfuqizoi rreth 5 muaj më parë anulimin e këtij projekti koncensionar, ndërkohë që qeveria vendosi që të mos bënte rekurs në Gjykatën e Lartë, në Kolegjin Administrativ.

Nuk dihet ende se çfarë e bindi qeverinë në këto dy vite që kompania të vijojë punën me koncensionin, dhe pse u hoq dorë nga hapi i radhës në sistemin e drejtësisë, siç ishte ai i rekursit në gjykatën e lartë.

Me hyrjen në fuqi të vendimit të qeverisë që u miratua në fund të Dhjetorit, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të vijojë procedurat për dërgimin e studimit të ri të fizibilitetit për mendim dhe shqyrtim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ishte trupa gjykuese e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa ajo që vendosi që të rikthejë koncesionin për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar. Vendimi është i formës së prerë duke i kërkuar Këshillit të Ministrave që të miratojë kontratën me kompaninë.

Rrugët ishin dy; ose qeveria të pranonte vendimin e gjykatës së Apelit, sikur bëri ose ta ankimonte në Gjykatën e Lartë duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit dhe prishjen e vendimit. Koncesioni kap vlerën e 457 milionë eurove.

Kontrata koncesionare u ndërpre në 21 janar të vitit 2019 dhe fondet e parashikuara që të shkonin për këtë projekt, qeveria i kaloi për universitetet pas protestës së studentëve.

Ndërprerja e kontratës nga ana e qeverisë, përkoi dhe me skandalin e Unazës së Madhe, ku Gener 2, përmes një kompanie fantazmë fitoi tenderin për një segment të rrugës në zonën e Astirit. Por pavarësisht këtij skandali, ku dokumentet ishin falsifikuar, dhe DH Albania kishte të njëtën adresë me Gener 2, askush nuk u vu në pranga, e madje njeriu që qëndronte në krye të ARRSH-së u promovua duke u zgjedhur si prefekt i Tiranës. Është fjala për Afrim Qendron.

Segmenti i katërt i autostradës Adriatiko-Joniane, Thumanë-Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash,  e cila do të ndërtohet nga Gener 2 përmes një oferte të pakërkuar.

Sipas variantit zyrtar të fizibilitetit në ministrinë e Infrastrukturës, ky segment kushton 162 milionë euro pa TVSh dhe 195 mln euro me TVSH, ose rreth 30% më lirë se varianti me PPP që është fituar nga kompania në fjalë./Faxweb.al

/faxweb