Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, atje ku të shtënat me breshëri automatiku i ka marrë jetën një personi dhe ka lënë të plagosur 4 të tjerë.
Mbetet ende e paqartë sesi ka ndodhur ngjarja, por të dhënat e deritanishme tregojnë se autori ka qëlluar nga një makinë drejt lokalit, në një tavolinë ku kanë qenë të ulur 5 persona, viktima dhe 4 të plagosurit.
“Më datë 04.01.2022, rreth orës 16:15, në “Don Bosko”, në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.
Si pasojë e të shtënave, shtetasi E. Ç., 35 vjeç ka humbur jetën, dhe janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”.“-njoftoi policia.
Të lënduarit janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në skenën e ngjarjes ndërkohë ka patur plot persona të cilët janë tronditur nga ngjarja. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhe pjesëtarë të familjes së viktimës.
Policia ndërkohë është vënë në kërkim të makinës nga ku është qëlluar me armë zjarri.
