Mban emrin e të atit dhe afro 2 dekada pas vdekjes së tij, ai është pjesë e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Kadrush Ilazi nuk e pa asnjëherë të atin, pasi ai ra dëshmor i atdheut një javë para se i biri të vinte në jetë.
Babai i Kadrushit jetonte në Gjermani, por kur në Kosovë nisi lufta, ai u rikthye për t’ju bashkuar UÇK-së, për të luftuar për vendin e tij. Në vitin 1999, 35 vjeçari ra dëshmor në luftimet me serbët, duke lënë pas të shoqen shtatzënë dhe dy vajza.
Pavarësisht se nuk e pa të atin asnjëherë, Kadrush Ilazi trashëgoi emrin dhe detyrën fisnike për t’i shërbyer atdheut, ashtu si dikur babai.
