Këtë të premte është mbajtur një protestë në sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj, disa ditë pas një krimi të rëndë në familje, ku një grua u shua nga dora e të shoqit, i cili e qëlloi me armë të paktën 6 herë.
Gratë kanë protestuar paqësisht përmes pankartave dhe mesazheve sensibilizuese për të ndalur dhunën e krimet ndaj grave.
“Vrasja nuk është virtyt i trimërisë por forma më e ulët e ligështisë”, “Nëse nuk di të duash, mos merr jetë”, “Një nënë nuk ka 7 jetë por do ta jepte edhe të vetmen që ka për fëmijët e saj” ishin disa nga mesazhet e shkruara në pankarta, gjatë protestës së organizuar nga Organizata jo qeveritare “Gratë Intelektuale të Drenicës”.
Krimi në familje
Më datë 5 janar (e mërkurë, pasdite), 51 vjeçari S.Q ka qëlluar me armë zjarri 6 herë mbi të shoqen 48 vjeçare në Llaushë të Skënderajt. Gruaja ka marrë disa plumba në trup dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Krimi ndodhi në sallonin e shtëpisë, ndërsa në banesë ndodheshin dhe dy nga tre fëmijët e çiftit.
Ngjarja tronditi opinionin publik, teksa me daljen e detajeve mbi rastin, media zbuloi se pak ditë më parë, gruaja kishte denoncuar të shoqin për dhunë në polici, ndërsa ky i fundit ishte mbajtur për pak orë e më pas ishte liruar.
Pikërisht mbi këto të dhëna, policia e Kosovës reagoi këtë të premte zyrtarisht, duke sqaruar se gruas i është ofruar urdhri i mbrojtjes dhe largimi nga banesa në një strehimore. Sipas sqarimit të dhënë nga policia, djali i të ndjerës (në moshë madhore), i ka kërkuar të ëmës që të mos largohet pasi do të jetë ai që do të kujdeset që prindërit të mos kenë më probleme me njëri- tjetrin.
“Ankueses/viktimës iu kishte prezantuar nga hetuesja e rastit mundësia për të ju siguruar urdhrin mbrojtës dhe për tu strehuar në strehimore, ku kërkesa për këtë kishte mbetur ti dërgohet mbrojtësit të viktimës, por me insistimin e djalit të saj (moshës madhore), i cili ka kërkuar nga nëna që të mos largohet nga shtëpia, të mos shkon as tek familjaret e saj (dajët) por as në strehimore, me faktin se nuk ka arsye të largohet nga shtëpia, pasi do të kujdesen që prindërit mos të kenë më probleme mes vete, e njëjta është pajtuar dhe ka vlerësuar të qëndroj në familje e jo të dërgohet në strehimore.”-thuhet në njoftimin e policisë.
Sqarimi i plotë i Policisë mbi rastin:
Pak para krimit, dy familjet ishin mbledhur për të pajtuar çiftin

Pak ditë para krimit në familje, familjet e të ndjerës dhe autorit ishin mbledhur së bashku për ta pajtuar çiftin që kishte patur probleme edhe më parë. Video u transmetua në median e Kosovës.
Vëllai i autorit: Kunata ishte një grua e përkryer, vëllai ishte me probleme psikike
Vëllai i autorit të krimit, Azem Qerimi, u shpreh për median në Kosovë se ngjarja i ka tronditur të gjithë, veçanërisht fëmijët e çiftit. Ai tregoi se e ndjera ishte një grua shumë e mirë, ndërsa shtoi se përgjegjësia bie mbi të vëllanë, që sipas tij kishte probleme mendore.

“Katër apo pesë ditë para se me ndodh rasti, policia e ka liru vëllaun tim. Vëllau im ka pasur probleme psiqike dhe është paradoks si lirohet një person i tillë. Pas është kthy në shtëpi ai e ka vrarë grun e tij. Gruaja e tij ka qenë një grua shembullore. Vëllai im edhe më herët ka pas probleme edhe kriza nervore kohë pas kohe. Jam i befasuar si Policia e liron një person që ka tentu të vras bashkëshorten e tij disa herë”,ka thënë vëllai i autorit për arbresh.info.
Skënderaj mbushet me grafite
Fill pas ngjarjes tragjike, mbrëmjen e djeshme në muret e godinës së policisë dhe në disa vende të tjera publike në Skënderaj, një sërë mesazhesh janë shkruar. Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist i postoi fotot në rrjetin social.
