Skip to content

Rihapet spitali fushor i Turqisë në kampin e refugjatëve në Bangladesh

Bangladeshi rihapi spitalin fushor turk në kampin e refugjatëve Rohingya, i cili ishte dëmtuar nga një zjarr vitin e kaluar.

Spitali kryen çdo ditë 20 operacione dhe ekzaminon 2.000 njerëz, tha ministri i Brendshëm turk Süleyman Soylu gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes në qytetin juglindor të Bangladeshit, Cox’s Bazar.

Pasi u shkatërrua nga zjarri, spitali u rindërtua nga Autoriteti Turk i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) me udhëzimin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Duke vënë në dukje se Turqia ndërmori veprime “të menjëhershme” për të shëruar plagët e shkaktuara nga zjarri, Soylu tha: “Ne nuk mund t’i linim vetëm këta njerëz të trishtuar, të shtypur, si dhe Bangladeshin, i cili është shtëpia e këtyre njerëzve”.

Ai shtoi se deri më tani në spital janë kryer 700 mijë trajtime.

Bangladeshi strehon më shumë se 1,2 milion refugjatë Rohingya, shumica e të cilëve u larguan nga dhuna brutale ushtarake në vendin e tyre, Mianmar, në gusht të vitit 2017.

Që nga 25 gushti 2017, gati 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë, ndërsa më shumë se 34 mijë janë hedhur në zjarr, mbi 114 mijë janë rrahur dhe rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya janë përdhunuar, sipas një raporti nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit e Ontarios.