Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me ndërhyrjen e policisë për të shpërndarë protestuesit nga selia e Partisë Demokratike, me kërkesë të Lulzim Bashës dhe deputetëve të tjerë që ndodheshin brenda saj, me pretendimin se iu rrezikohej jeta.
Çuçi ka përgëzuar punonjësit e policisë së shtetit që sipas tij patën një sjellje profesionale dhe dinjitoze. Ministri shkruan se protestat paqësore janë themelore në demokraci, por aktet e dhunës dhe tentativat për të cënuar rendin publik nuk do të tolerohen.
Postimi i Çuçit:
Policia e Shtetit tregoi edhe njëherë sot një sjellje profesionale në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Dëshmoi gjithashtu se është një trupë e depolitizuar dhe tërësisht e angazhuar për të siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve.
Protestat paqësore janë themelore në demokraci, por aktet e dhunës dhe tentativat për të cënuar rendin publik nuk do të tolerohen. Policia e Shtetit është e vendosur për të vijuar punën dhe misionin që i ngarkon ligji. Përgëzime Policia e Shtetit.
Kujtojmë se Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë të kësaj force politike qëndruan në ambientet e katit të dytë të selisë së PD-së, ku dyert ishin të blinduara dhe ku mbështetësit e Berishës nuk mundën që të hynin dot brenda saj.
Fillimisht policia qëndroi në ambientet e Kuvendit, dhe menjëherë pas kërkesës së drejtuesve të PD-së u fut në oborrin e Partisë Demokratike ku hodhi ujë dhe gaz lotsjellës në drejtim të turmës së protestuesve duke i shpërndarë ata.
Selisë së PDsë iu vunë shiritat e skenës së krimit, dhe brenda saj u mblodhën prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të dhunës.
(E.K/Faxweb.al)
në Facebook, klikoni Join Group
…
/faxweb
