Skip to content

“Gazi mund të na vriste”, flet fotoreporteri Bilani që u lëndua sot në protestë: Sa të kem frymë do pasqyroj vetëm të vërtetën!

Felix Bilani, fotograf i cili u lëndua në protestën e sotme në një lidhje Skype për Fax News tha se sot njerëzit po kërkonin lirinë, jashtë kuadrit politik.

Ai tha se policia nuk duhet të përdorte atë sasi të madhe gazi pasi mund të vdisnin njerëz, duke shtuar se vetë ai ishte kardiak dhe shumë të tjerë mund të kishin pasoja fatale.

Bilani hodhi poshtë çdo lloj pretendimi se është fotograf i Berishës, duke theksuar se është fotoreporter i pavarur dhe se deri në fund do të pasqyrojë vetëm të vërtetën.

Bilani: Protesta ishte thjesht një kërkesë për liri. Problem ishte se gazi ishte me tepri dhe kolegët tanë kanë bërë thirrje që të hetohet.

Unë pata një problem me gazin, kisha shumë kollë, djegie fyti dhe humba kontrollin. Dua të falenderoj ekipin e urgjencës qe mu gjet aty, kaloj mirë pavarësisht se kam mushkëritë dhe kokën e rëndë.

Më e rëndësishmja është që në 30 vite, minjtë që serviren në rrjetet sociale, rasti më i fundit, më ka nxjerrë momentin duke thënë mirë ja kanë bërë fotografit të Sali Berishës. Unë në kohë të Berishës kam provuar dhe burgun, unë nuk kam çmim, as nuk shitem te asnjë forcë politike. Jam fotoreporter i lirë dhe sa të kem frymën do fotografoj vetëm të vërtetën.

Policia duhet të kishte hedhur më pak gaz, jo se kishte aksione dhune, përjashtuar vetëm një rast brenda godine. Isha në kafe duke pritur protestën në 1, turma po thyente xhamat në pjesën para të selisë. Po të marim një analizë të thjeshtë humane, cdo njeri që dhunon një pronë procedohet jo të hedhësh gaz mbi to dhe ti vrasësh. Unë jam kardiak dhe gazi më hedh në tokë, e si unë ka plot njerëz të tjerë. Kjo është e frikshme!

Nëse do të ndërgjegjësohen, pa frikë për pushimin nga puna, gazetarët nëse bëhen bashkë, do krijohet ai që quhet pushteti i katërt.

Një popull që nuk proteston për rritje çmimesh, atëherë këtu ka dicka që nuk shkon. Qetësia duhet, kurrsesi dhuna.

(E.D/faxweb.al)

/faxweb