Skip to content

Dhuna në PD, Rama: Përgjegjësi e dy personazheve që akuzojnë njëri-tjetrin se kush është shërbëtori im

Kryeministri Edi Rama nisi sikurse kishte paralajmëruar në Facebook bashkëbisedimin live me demokratët pas protestës së dhunshme të zhvilluar një ditë më parë në selinë e PD.

Rama ka sulmuar Lulzim Bashën dhe Sali Berishën duke thënë se ata janë të dy përgjegjës për situatën e krijuar dje në selinë e Partisë Demokratike.

“Ndodhia e djeshme ishte shumë e rëndë për demokratët por edhe për të gjithë Shqipërinë. 3 a 4 miq të huaj më kanë marrë të më pyesin të habitur: “a është e vërtetë që selia e PD është sulmuar nga mbështetësit e saj”.

Lajmi mori dhenë, është absurd, sa i rëndë, aq edhe qesharak sa në një vend demokratik, sulmohet me dhunë selia e partisë së opozitës nga vetë mbështetësit e saj. Nuk ka ndodhur asnjëherë diçka kaq ekstreme që shkon përtej cdo logjike dhe sigurisht shumëkush mund të mendojë se për mua është e mirëseardhur.

Nuk i vë faj kujtdo që mendon se është e mirëseardhur në aspektin cinik të politik por një zhvillim i kësaj natyre që patjetër e dobëson ushtarin politik, në fakt e godet vendin, godet shoqërinë dhe të gjithë ngrehinën.

Kjo dëmton dhe gjithë kornizën institucionale të vendit. Kjo është përgjegjësia e dy personazheve pa asnjë vizion ardhmërie, pa asnjë projekt politik, pa asnjë mesazh më të fortë sesa akuza se kush nga të dy është shërbëtori im. Pikë e zezë”, u shpreh Rama.