Më shumë se tre dekada më parë, kur jetohej nën komunizëm, e sotmja, 11 janari, ishte me të kuqe në kalendar. Ishte zyrtarisht ditë feste. Ishte ditë pushimi. Por nuk ishte ndonjë festë klasike me tam-tame zyrtare. Ishte thjesht përkujtuese. Ishte festa e shpalljes së Shqipërisë si Republikë.

Drejtoria e Arkivave e kujton këtë datë, duke shkruar e sjellë një dokument:

“Si sot më 11 janar 1946, Shqipëria u shpall Republikë.

Pas daljes së vendit nga Lufta II Botërore në nëntor 1944, Shqipëria ishte ende mbretëri demokratike, parlamentare, dhe e trashëgueshme.

Kësisoj, për të sjellë ndryshimin e regjimit të qeverisjes, u organizuan zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, në të cilat u zgjodh fitues Fronti Demokratik (ish-Fronti Nacional-Çlirimtar), organizata politike e Partisë Komuniste të Shqipërisë.

 Pas mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor, Asambleja Kushtetuese shpalli Shqipërinë Republikë Popullore”.

Pra, që nga kjo datë e ky vendim, Shqipëria është Republikë.

Në 97-ën kjo do vihej në diskutim, më saktë në votim, pasi me kthimin e Leka Zogut në Shqipëri nën një atmosferë kaosi, do votohej paralel në zgjedhjet e parakohshme dhe në një referendum për formën e regjimit: Republikë apo Monarki?

Fitoi PS dhe Republika, por ndërsa e para nuk u kontestua, e dyta po. Leka Zogu pretendoi se Monarkia kishte fituar  e ndaj organizoi një protestë militare, me armë në brez, te KQZ-ja (pjesa e pasme e Pallatit të Kongreseve), me pasojë një jetëhumbje. Por vetëm kaq. Shqipëria mbeti Republikë. /tesheshi.com/   

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re