Skip to content

6 ditë afat për të liruar shtëpitë, banorët e “5 majit” bëjnë kallëzim penal: Nuk dalim nga banesat! Për shkatërrim prone dënohesh 5-10 vite burg

Banorët e zonës së “5 majit” në Tiranë kanë mbërritur në polici për të bërë kallëzim penal pasi ata pretendojnë se prishja e shtëpive të tyre është e jashtëligjshme.

Bashkia e Tiranës, ka dërguar ditën e sotme një ultimatum ndaj banorëve të zonës “5 maj” në Tiranë ku u kërkohet që deri në datën 19 janar të gjithë të kenë liruar banesat e tyre pasi në orën 10:00 do të filloj shembja nga ana e Inspektoriatit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Territorit (IKMT).

Banorët e zonës “5 maj” prej muajsh tashmë protestojnë kundër shembjes së shtëpive të tyre pasi edhe siç vetë ata e kanë thënë, nuk u është dhënë asnjë lloj njoftimi lidhur me projektin që do të ndërtohet dhe për më tepër nuk janë garantuar se do të kenë dëmshpërblim me vlerën e tregut.
Ata kanë kundërshtuar kategorikisht daljen nga shtëpitë duke u shprehur se frikësoheshin se do të mbeteshin në qiell të hapur duke marrë parasysh se nuk kishte asnjë lloj kontrate që i siguron se do të ishin pronarë të ligjshëm të një banese tjetër në rast se ajo aktualja do të shembej.

Gjatë prononcimit në mikrofonin e “Fax News”, banorët u bëjnë thirrje inspektorëve të IKMT që të distancohen pasi janë kallëzuar penalisht për “shkatërrim prone”.

Bashkia na thotë më liro sheshin e ndërtimin, kujt i thonë këta më thonë liro sheshin? A ka shtet këtu ku jetojmë ne? Nuk ka as demokraci asgjë, 6 ditë afat na kanë vendosur për lirimin e banesave”, thotë një banor.

“Erion Veliaj është super hajdut dhe kriminel, ai nuk mund ti verë letra banorëve, nëse ai vjen dhe prish shtëpitë ai bën një vepër penale. Ai do ta prishë pa marrëveshje me ne, janë në kundërshtim me ligjin, gjithë inspektorët e IKMT do të kallëzohen për shkatërrim prone, dënohesh 5-10 vite burg. Të distancohen nga Veliaj që bën vjedhje të hapur. Nuk mund ta prishës pronën e askujt për marrëveshje. Na kanë thënë liro shtëpinë për 19 janar, u bëj thirrje banorëve mos nxjerrë asgjë nga shtëpia ne do të jemi brenda nuk kemi përse t’i lirojmë”, u shpreh një banor tjetër.

Prej muajsh tashmë Fax News ka transmetuar protestat e banorëve të cilët kanë kërkuar që kreu i bashkisë Erion Veliaj të takohej me ta dhe t’u shpjegonte sesi do të arrihej në një marrëveshje.

/faxweb