Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht punën për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen në datë 6 mars në 6 bashki të vendit që janë pa kryetar.

Pas mbledhjes me Kryesinë e PS, Rama theksoi se ata përfaqësues socialistë që janë skualifikuar më parë për shkak të Dekriminalizimit nuk do të kenë asnjë shans të dytë nën siglën e Partisë Socialiste.

“Është një proces ku ne do të jemi pjesë. Do respektojmë afatet, do paraqesim kandidatët. Nuk mendoj që do të kemi deputet si parim në këtë garë, dhe ky është mendimi i gjithë kryesisë. Përsa i përket grave, ju e dini që midis 10 burrave dhe 1 gruaje unë zgjedh gruan. Shanset e dyta jepen në marrëdhënie individuale, mund t’i japim njëri-tjetrit kur jemi miq dhe për një arsye pse miqësia lëndohet.

Shanset e dyta i jep pastaj Zoti, ndërsa Partia Socialiste nuk i jep shans të dytë askujt që e ka vënë në pozitë të vështirë në sytë e njerëzve duke gënjyer, kështu që s’ka shanse të dyta për askënd që bën deklaratë të rreme lidhur me jetën, veprimtarinë e gjithë ato aspekte që kanë të bëjnë me ligjin e pastërtisë së figurave”.

Rama thotë se vetë personalisht është më shumë i fokusuar në projektin e Këshillimit Kombëtar, se sa tek zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit, të cilat nuk i konsideron si një betejë “për jetë a vdekje”.

“Ne nuk do bëjmë një luftë për jetë a vdekje.  Ne jemi PS. Ne jemi njëshat, kështu që njishi nuk hyn kurrë për t’u bërë dysh, por këto janë zgjedhje që kanë rëndësinë e tyre, kanë si objektiv fitoren dhe përsa i përket opozitës nuk do doja të merresha me opozitën”.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko