Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Felix Plasencia, kërkoi që SHBA t’ia kthejë qeverisë kontrollin e selisë së ambasadës në Washington, si dhe konsullatës së saj në New York, të cilat mbahen nga “një bandë kriminelësh ndërkombëtarë” të lidhur me liderin e opozitës Juan Guaido.

“Ne kërkojmë që presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken të udhëzojnë autoritetet qeveritare që t’ia kthejnë qeverisë së Venezuelës selinë diplomatike në Washington dhe konsullatën në New York”, tha Felix Plasencia në një deklaratë për shtypin.

Sipas ministrit Plasencia, asetet janë “vandalizuar, pushtuar dhe vjedhur nga të gjithë venezuelianët” dhe “po shkatërrohen”, kështu që ato duhet t’u kthehen autoriteteve venezueliane të përfaqësuara nga “presidenti legjitim, Nicolas Maduro”.

Plasencia i kërkoi Blinkenit të ndiqte shembullin e qeverisë Boliviane, e cila kohët e fundit ktheu dhjetëra automjete që kishin qenë në duart e diplomatëve të Guaido në La Paz që nga tetori 2020, gjatë qeverisë së Jeanine Anez. Pasi Luis Arce u zgjodh president i Bolivisë vitin e kaluar, qeveria e Maduros rifilloi marrëdhëniet me La Pazin.

Ministri i Jashtëm akuzoi disa liderë të opozitës për shkatërrimin e pronës kulturore, bibliotekës së ambasadës, veprave të artit dhe rezidencës zyrtare të misionit diplomatik në Bolivi.

Në janar të vitit 2019, Guaido e shpalli veten president në detyrë pasi Asambleja Kombëtare e kontrolluar nga opozita tha se Maduro ishte një uzurpator. Qeveria amerikane dhe rreth 50 vende të tjera e kanë njohur që atëherë Guaidon si “presidentin e përkohshëm” të Venezuelës.

Përderisa Bashkimi Evropian gjithashtu iu bashkua SHBA-së duke njohur zyrtarisht presidencën e Guaidos, BE e ka lënë të hapur derën për dialog me Maduron.

Venezuela ka kërkuar gjithashtu kthimin e aseteve të tjera që janë “vjedhur”, si vepra arti dhe dokumente.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re