Skip to content

Tmerr në Ganë: shpërthimi rrafshon 500 ndërtesa

Një shpërthim në rajonin perëndimor rural të Ganës të enjten rrafshoi qindra ndërtesa dhe vrau të paktën 17 persona kur një kamion që transportonte eksploziv në një minierë ari u përplas me një motoçikletë.

Udhëheqësit lokalë kanë konfirmuar vdekjen e të paktën 17 personave, ndërsa 59 të tjerë u plagosën, mëson AFP.

Videot, autenticiteti i të cilave nuk është verifikuar dhe publikuar nga mediat lokale tregojnë një vend të madh shpërthimi, ku ndërtesat u shndërruan në grumbuj druri, tullash dhe metali të shtrembëruar.

Një video tregon dy trupa në tokë, të mbuluar me pluhur. Një foto e shpërndarë nga një anëtar i këshillit lokal tregon një krater të thellë në epiqendrën e shpërthimit.

Seji Saji Amedonu, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive, tha se 500 ndërtesa ishin shkatërruar. Një oficer rajonal i urgjencës tha për mediat lokale se kishte parë 10 trupa të vdekur.

Banorët u këshilluan të largoheshin nga zona për sigurinë e tyre dhe të shkonin në qytetet e afërta, sipas një deklarate të policisë.

Qyteteve aty pranë u është kërkuar të hapin hapësira publike, duke përfshirë klasa dhe kisha për të strehuar të mbijetuarit, tha policia.

Shpërthimi ndodhi në Apiate midis qyteteve Bogos dhe Bawdie, kur një motoçikletë u përplas nën një kamion që transportonte eksploziv në pronësi të Maxam në minierën e arit Chirano, operuar nga Kinross i Torontos.

Një zëdhënës i Kinross konfirmoi incidentin, duke thënë se ndodhi 140 kilometra nga miniera.

Presidenti i Ganës Nana Akufo-Addo njoftoi në Twitter se ishte informuar për incidentin dhe konfirmoi se kishte të vdekur.

 “Është vërtetë një incident tragjik dhe në emër të qeverisë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave”, tha ai.