Skip to content

“Berisha urdhëroi të qëllohet mbi protestuesit e 21 janarit, turp i drejtësisë që nuk e ka marrë nën akuzë”

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla thotë se Sali Berisha urdhëroi të qëllohet mbi protestuesit e 21 janarit të vitit 2011.

Sipas Ballës, hezitimi 11 vjeçar i prokurorisë për të marrë si fillim në pyetje dhe më pas nën akuzë atë që dha urdhrin të qëllohet mbi popullin, është turpi i drejtësisë.

“Për fat të keq edhe i drejtësisë së re, e cila po luan ping-pongun e vjetër me dosjen sipas tyre ende pa autor të dëshmorit Aleks Nika”, shkruan Balla.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

KURRË NUK DO HARROJMË!🇦🇱

Më 21 Janar 2011 Sali Berisha urdhëroi të qëllohet me plumba mbi popullin që kishte dalë në protestën më të madhe kundër regjimit të tij korruptiv, duke u marrë jetën katër shqiptarëve të pafajshëm e plagosur dhjetra të tjerë. Sali Berisha e ka pranuar botërisht se ai ka qenë urdhëruesi. Kemi depozituar kallzim penal pas ngjarjes me prova dhe fakte ndaj zinxhirit komandues të vrasjeve më 21 Janar, kupola e të cilëve nuk u morën kurrë të pandehur. Hezitimi 11 vjeçar i prokurorisë për të marrë si fillim në pyetje dhe më pas nën akuzë atë që dha urdhërin të qëllohet mbi popullin, është turpi i drejtësisë. Për fat të keq edhe i drejtësisë së re, e cila po luan ping-pongun e vjetër me dosjen sipas tyre ende pa autor të dëshmorit Aleks Nika. Urdhëruesi është Sali Berisha!