Skip to content

‘Po fole më do të çojmë te vëllai yt’, tritoli në vilën trekatëshe të Naim Stafukës, detaje të reja nga ngjarja

Fax News mëson detaje të reja nga shpërthimi me tritol që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Fushë Krujë, në një objekt trekatësh në pronësi të Naim Stafukës, vëllai i të cilit rezulton i zhdukur prej disa vitesh.

Burime bëjnë me dije se Stafuka dhe familja e tij jetojnë në katin e tretë të banesës ku u vendos lënda plasëse, ndërkohë që lokali në katin e parë është dhënë me qira prej tij.

Lokali është i pajisur me kamera sigurie, që janë sekuestruar nga grupi hetimor, dhe pritet që të hedhin më shumë dritë rreth ngjarjes.

Në vendngjarje ka mbërritur mbrëmjen e djeshme dhe drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit.

Vetë Stafuka bëjnë me dije burimet, nuk është parë që të jetë i pranishëm në vendin ku u hodh tritoli.

Nga shpërthimi me tritol fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, dhe ngjarja lidhet kryesisht me një paralajmërim ndaj Naim Stafukës, i cili pak muaj më parë thyeu heshtjen për zhdukjen e vëllait të tij, duke lakuar dhe emrin e Durim Bamit si të dyshuar të mundshëm.

“Kam qenë duke ecur me makinë, më kanë ndaluar me maskë, më kanë thënë: “Po fole më, do të të çojmë tek vëllai yt”,” tha Naim Stafuka në intervistën e bërë në nëntor 2021. (Shiko ketu intervisten e plote)

Duket se personat që e kanë kërcënuar nuk kanë vonuar për ti dhënë një tjetër mesazh familjes Stafuka. Siç ndodh përherë pas ngjarjeve të tilla kriminale, policia thotë se po punon për zbardhjen e tyre, edhe pse tashmë kanë kaluar vite nga më e rënda, ajo e zhdukjes së Enver Stafukës.

/faxweb