Skip to content

Mbrojtja kosovare: S’po prokurojmë 40, por 4 dronë amerikanë!

Shefi i Komunikimeve Strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, Sefer Isufi, ka mohuar shkrimin e djeshëm të mediave kosovare për blerjen e 40 dronëve nga SHBA, duke thënë se bëhet fjalë për blerjen e katër dronëve.

“Jemi të befasuar nga informacionet që u përcollën në disa nga mediat tona. Është e pasaktë që do të prokurohen 40 dronë, por është një projekt i prokurimit të katër dronëve i propozuar nga ministri Mehaj  dhe i miratuar nga qeveria shtatë muaj më parë”, ka thënë Isufi.

Ai theksoi se ky është vetëm një nga projektet e shumta që janë kontraktuar me SHBA-në në kuadër të programit shtetëror amerikan të shitjeve ushtarake të huaja.

Është një program i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes që mundëson shitjen e armëve dhe pajisjeve mbrojtëse. Qeveria e Kosovës është blerës partner i produkteve të prodhuara nga industria amerikane e mbrojtjes”, ka shtuar Isufi.

Ai ka deklaruar se sistemi pa pilot Puma, i cili e prokuron Kosovën, në fakt është një sistem i dronëve për vëzhgim, i cili siç pretendon ai është funksional në kushtet e ditës dhe të natës.