Në 6 mars do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashkitë e vendit, Lushnje, Rrogozhinë, Durrës, Vorë, Shkodër dhe Dibër. Por këto zgjedhje e gjetën Partinë Demokratike të përçarë pasi zoti Berisha do hyjë në zgjedhje me kandidatët e vet dhe zoti Basha me kandidatët e vet.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi i ftuar në studion e RTV Ora u shpreh se është asnjëanës në lidhje me betejën në PD mes Berishës dhe Bashës.
Shehi: Edhe për zgjedhjet ( zgjedhjet e pjesshme vendore që do mbahen më 6 mars në 6 bashkitë e vendit) është e njëjta gjë. Propozimi im është që të kemi një kandidat. 6 bashki të jenë 6 kandidatë, të jenë të përbashkët, kur them të përbashkët të jenë të këtyre dy grupeve që po përplasen brenda PD, pastaj dhe ne të tjerëve. Ndryshe alternativa tjetër brenda PD nuk është fort e këndshme, sepse është alternativa e humbjes sepse me dy kandidatë është gati e sigurt humbja.
Ditën e djeshme në Parlament pjesa dërrmuese e deputetëve të PD nuk i kanë folur zotit Berisha në sallë. Zoti Shehi e konsideroi një sjellje jo normale sjelljen që në princip.
Shehi: Nuk e lidh fare me Berishën dhe personin, e lidh me gjithë llojin e historikut të këtij lloj sektarizmi. Unë gjykoj që Berisha është në të drejtën e vet, thotë ato mendimet dhe idetë e veta dhe duhet respektuar si gjithë deputetët e tjerë. Besoj që mos flasësh dhe mos komunikosh me një koleg është një gjest i rëndë dhe nuk ka ndonjë përfitim politik.
Zoti Shehi tha se opozita shqiptare duhet ta rigjejë vetveten nga të dyja palët. Sipas tij opozita nuk është vetëm Basha dhe Berisha dhe nuk mund të përcaktohet vetëm nga ata se cila është e mira dhe e keqja.
