Skip to content

Të moshuarit në Elbasan punojnë për mbijetesë: Nuk na del pensioni as për ilaçe, jam 80 vjeç por qëndroj këtu në të ftohtë të ble një bukë ta ha me plakun (VIDEO)

E ndërsa kryeministri Edi Rama këshillohet në platformën “Këshillimi Kombëtar” nëse pensionisët që punojnë duhet të paguajnë apo jo kontribute shoqërore pensionisët në Elbasan luftojnë për mbijetesë.

Pavarësisht temperaturave që mbeten të ulëta rrugicave të Elbasanit as këto ditë nuk i kanë munguar të moshuar që punojnë për të siguruar mbijetesën. Thinjat në kokë dhe rrudhat në tipare janë dëshmi e viteve që kane mbi supe dhe hallet që u është dashur të përballojnë.

Edhe pse kanë dalë në pension dhe supozohet ta shijojnë atë sërish i sheh në përpjekje për të siguruar mbijetesën e cila çdo ditë bëhet edhe më e vështirë. Vetë të moshuarit pohojnë se detyrohet të punojnë pasi pensionet që marrin janë modeste aq sa nuk mbulojnë dot as shpenzinet për medikamente.

“Punoj që të jetoj, nuk marr as përkrahje asgjë, skam cfarë të bëj punoj edhe në të ftohtë duhet të hamë bukë. Shumë e vështirë është për të siguruar jetesën, skam as shtëpi as përkrahje dhe aq më keq jetoj në dert ë vëllait”, tha një grua e moshuar.

“Unë vijë vetë të punoj, nuk më dërgojnë fëmijët. Jemi mësuar me punë dhe nuk më rrihet në shtëpi. Më detyron të punoj edhe pensioni i ulët, me 100 mijë lekë të vjetra, vetëm dy ditë të hash. 2 mijë lek nxjerr në ditë”, tha pensionistja.

Tek fëmijët dhe të afërmit nuk presin shumë pasi puna ka rënë. Megjithëse fitimi ditor janë vetëm ca kacidhe sërish nuk dorëzohen.

“Çfarë do bëjë nëna me 70 mijë pension do të laj ujë drita apo gjelbërimin që paguajmë. Skam bërë as 1 mijë lekë sot s’kemi çfarë të bëjmë. Dalim nga e keqja , po shkoj 80 vjeç sepse skam të marr bukë të ha me plakun”, tha e moshuara.

“Kemi dalë në pension, nuk më del pensioni ndaj punoj, e kam gruan të sëmurë. 4 vite është kuruar e çova në Greqi, Maqedoni edhe në Tiranë vetëm me ilaçe. Ka raste fitoj n10 mijë ka raste 15 mijë. Nëse do të jem vetëm me pension nuk kam si të jetoj, me pension 116 mijë ku na dalin. Nëse na detyrojmë të paguajmë siguarcion do të paguajmë s’kemi çfarë të bëjmë”, tha një burrë i moshuar.

Në pyetjen e hedhur nga Kryeministri ka njerëz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë, nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore. Të tjerë mendojnë që nuk duhet bërë një diferencim i tillë. Përballë pyetjeve të tilla këta të moshuar rropaten për të siguruar mbijetesën.

/faxweb