Primaret e “Rithemelimit” u mbajtën ditën e djeshme, me gjashtë kandidatët e saj për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit që me shumë gjasa nuk do të pranohen nga selia zyrtare e PD me në krye Lulzim Bashën.
Ky është vetëm episodi i fundit në përçarjen brenda PD, dhe analisti Dritan Shano, i ftuar në A2 CNN shprehet se “nuk të çojnë në rrugën e duhur, pavarësisht modernizimit të përzgjedhjes”.
Sipas tij, “verën e kaluar kandidatë si Fatbardh Kadiili propozuan teza të tilla si primaret, një PD më të hapur etj, teza që u gllabëruan nga Berisha për hallin e tij. Sot kemi një zhurmë të madhe daullesh ku flauti nuk dëgjohet, dhe nuk po prodhohet një PD më e pastër, por një luftë midis Bashës dhe Berishës.
Në gjykimin e Shanos, “mënyra e tyre është identike, tentojnë përçarje dhe eliminim e kundërshtarit, dhe jo krijimin e një alternative të qëndrueshme. Berisha mund të jetë dhe është në fakt e shkuara, me një metodë politike që duhet të ishte mbyllur në ’90, por atëherë Basha është e ardhmja e përdorur”.
