Skip to content

Turqia, masa kundër programeve televizive që shkelin vlerat familjare

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka urdhëruar që të ndërmerren masa kundër televizioneve apo programeve televizive, që konsiderohen në kundërshtim me vlerat themelore të Turqisë.

Në një qarkore të publikuar të shtunën ai tha se vendimi synon të mbrojë kulturën turke e të eliminojë efektet e dëmshme të programeve televizive me përmbajtje të huaj, të përshtatura për publikun turk.

Në qarkore thuhet se duke përdorur ligjet dhe kushtetutën, do të ndërmerren të gjitha masat paraprake kundër atyre programeve televizive që ndikojnë negativisht tek familja, fëmijët e të rinjtë. Në vendim thuhet se fëmijët dhe të rinjtë do të mbrohen nga ‘mesazhet e përcjella përmes simboleve të caktuara’, por pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Autoriteti turk që mbikëqyr median, Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit, ka tashmë kompetenca të gjera dhe mund t’i gjobisë mediat ose të urdhërojë ndërprerje të përkohshme të kanaleve televizive që kryejnë shkelje të vlerave turke. Autoriteti gjithashtu ka gjobitur kanalet për përmbajtje erotike ose që lidhen me komunitetin LGBT.

Ilhan Tasci, anëtar i autoritetit mbikëqyrës të medias që përfaqëson partinë kryesore opozitare, e quajti masën një “qarkore censure” dhe tha se ajo shkel kushtetutën e cila garanton mbrojtjen e lirisë së shtypit.

Qarkorja pason fillimin e transmetimit të një programi ndërkombëtar nga televizioni amerikan ‘Fox’, i përshtatur edhe në turqisht me titullin ‘Këngëtari i maskuar’. Gjatë programit këngëtarë të njohur interpretojnë të maskuar me kostume, për të fshehur identitetin e tyre. Shfaqja është kritikuar në internet për përmbajtje të supozuar satanike e pagane.
Burimi VOA