Deputeti Ilir Metaj ka folur në Kuvend lidhur me ratifikimin e Konventës kundër dhunës në ambjentet e punës, që u bë sot në Kuvend.

Në fjalën e tij, ligjvënësi socialist i referohet ngjarjeve të 8 janarit.

Më poshtë po përcjellim fjalën e plotë:

Për cdo parlament në botë ratifikimi i Konventës 190 “kundër dhunës dhe ngacmimit” është një vendim i mire.

Por ratifikimi i një konvente të tillë, në Parlamentin e Shqiperisë, nuk është thjesht një vendim i mirë. Eshtë një shpresë.

Sepse dhuna dhe ngacmimi në ambientin e punës, ka qenë edhe së fundi,një mik i preferuar i disave në këtë sallë.

E pamë në 8 janar, si virus i prodhuar në laboratorin e selisë së Partisë Demokratike, që u përhap dhunshëm ne atmosferën shqiptare dhe jo vetëm.

Kur publiku të dëgjojë që po dedikojmë kohë dhe vendime kundër dhunës dhe ngacmimit,mbase do i ngjallet një shpresë e mire: shpresa që politika ulur në këtë sallë nuk do të jetë më protagoniste e kronikave të turpit të lajmeve nga bota.

Jam edhe unë shpresëplotë se cdo karton që do miratojë këtë konventë sot, do të ketë kuptuar pse dhuna dhe ngacmimi nuk duhet të jenë pjesë e mjedisit të politikës tonë.

Pse ato nuk duhet të kenë veto në tryezat tona e aq më pak të vendosin për Shqiperinë.

Kjo konventë artikulon qartë një të drejtë: të drejtën për një mjedis pune të pastër nga dhuna dhe ngacmimi.

Dhe e ka fjalën për të gjitha format që dhuna dhe ngacmimi mund të marrë, edhe për ato forma që përpiqen të kamuflohen pas termash të tjerë, si mbledhje, asamble,protestë paqësore, etj.

Sepse dhuna është fizike, është verbale, është psikologjike, e dukshme ose e sofistikuar.

Po është po njësoj e dëmshme dhe shpesh me pasoja të pariparueshme.

E pra, ta kuptojmë mirë sot, se duke ngritur kartonin për këtë vendim, kemi vendosur gjithashtu t’i hapim derën emancipimit  të sjelljes sonë politike.

Në mos e kuptofshim, do të jetë keq për ne.

Do të jetë keq për cilindo që nuk e kupton. Ose e kupton por nuk e zbaton.

Kjo Konventë sanksionon edhe një herë, se dhuna e ngacmimi ndalohen me ligj.

Identifikimi i rasteve nuk i lihet më vullnetit të denoncuesve, por edhe mjeteve efektive të inspektimit dhe hetimit.

Natyrisht, mund të ndodhë që në ambiente të punës të ketë përsëri fenomene të tilla. Por kjo Konvente siguron që nëse këto fenomene ndodhin, ato do të trajtohen me ashpërsinë e duhur nga ligji.

Ndërsa viktimat nuk do të jenë të braktisura vetëm për vetëm me fatin dhe forcën per t’u vetngritur. Por do t’u sigurohet akses në mbështetjen juridike dhe sociale për t’u ringritur.

Të nderuar kolegë,

Kur kemi hyrë në këtë sallë, i kemi vënë vetes detyrë të respektojmë ne të parët vendimet që marrim.

E kemi për detyrim të punës sonë  krijimin e frymës:

frymës që motivon për keq, apo frymës që motivon për mirë.

Asaj që promovon dhunën, apo asaj që promovon dialogun dhe shkëmbimin e ideve.

Ky vit ka hyre me shembuj të të dyja modeleve në politikën shqiptare.

Përjetuam modelin e bravës, shulit dhe qysqisë, të turmës që linçon dikë aty, apo kolegu që terrorizon kolegun në ambientet e punës. Madje edhe kolege gra.

Por po perjetojmë edhe modelin e anketës me qytetarin, mbledhjen e mendimit të lirë, debatit me argumenta kundër.

Të dy modelet janë të mundshme. Të parin kjo Konvente e ndalon dhe detyron ligjin të veprojë.

Por ne nuk duhet të bëhemi konsumatorët më të mëdhenj të policimit.

Policinë duhet ta lemë të okupohet më shumë me krimin sesa me sherret për vula mes parlamentarëve, më shumë me pronarët që ngacmojnë punonjëset, sesa me deputet-miq-armiq me shkopinj bejsbolli në duar.

E pra, ratifikimi i kësaj Konvente është një lajm shumë i mirë.

Sepse nënkupton se zbatuesit e parë të saj do te jemi ne, deputetët që e miratojmë. Po e zbatuam ne, është e sigurtë se më pak dhunë e ngacmim do ketë në cdo qelize të jetës në Shqipëri, qoftë kjo jeta profesionale apo familjare.

Dhe ratifikimi i kësaj Konvente do të jetë një pengesë jo e parëndësishme ndaj promovimit të dhunës, qoftë edhe kur ajo kamuflohet në zërin e mekur të dikujt (tipike për atë që do të bëjë të besosh diçka që nuk e beson as ai vetë), tek shpërndan refrenin “sic është Partia Demokratike sot, do te jetë Shqiperia nesër.”

Në fakt, as në ditën e saj më të keqe, Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë aq e pashpresë sa ti duhet të zgjedhë një të ardhme me dikë që është i dëmshëm, apo me  dikë që është i padobishëm, sikurse është dilema fatkeqe e demokratëve sot.

Siç është Partia Demokratike sot dhe si do të jetë Shqipëria nesër, janë si dy vija paralele: nuk puqen kurrë në asnjë pikë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko