Skip to content

Dënimi me burg për Tahirin, reagon Basha: Kjo dëshmon sesa të vërteta kanë qenë akuzat e PD, bashkë me Kokën janë dy nga hallkat e zinxhirit të krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas dënimit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shkruan se vendimi i dhënë ditën e sotme tregon vërtetësinë e akuzave të Partisë Demokratike.

Vendimi u mor sot nga Apeli i GJKKO, të cilët vendosën 5 vite heqje lirie për ish-ministrin e Brendshëm, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj 3.4 vite burg.

“Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin dëshmon sa të vërteta kanë qenë akuzat e PD për përfshirjen e ish-Ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Faktet e përfshirjes së tij në një grup të strukturar kriminal janë dëshmi e qartë se në krye të bandës është Edi Rama, njeriu që e emëroi, mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për të zvarritur dënimin e vartësit të tij. Saimir Tahiri dhe Lefter Koka janë vetëm dy nga hallkat e zinxhirit të krimit dhe korrupsionit që ka për autor dhe zbatues Edi Ramën!”, shkruan Basha.