Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë vendimin për shkarkimin ose jo të presidentit Ilir Meta. Siç parashikon ligji, brenda 30 ditëve gjykata do të zbardhë edhe vendimin.
“Gjykata Kushtetuese deklaron mbylljen e seancës plenare dhe tërhiqet për të marrë vendim. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, pasi dëgjoi konkluzionet e të dyja palëve.
Seanca e tretë për shkarkimin e Ilir Metës ka zgjatur rreth 3 orë. Ditën e sotme, përfaqësuesit e Presidentit paraqitën përgjigjet për 72 pyetjet që patën anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe përfaqësuesit e Kuvendit si palë në gjykim, gjatë seancës së kaluar.
