Skip to content

Azerbajxhani: Armenia ka qëlluar mbi pozicione ushtarake

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka njoftuar se pozicionet e ushtrisë së saj janë sulmuar nga forcat armene.

Ministria tha se duke filluar nga mbrëmë, njësitë e forcave të armatosura armene në vendbanimin Yukhari Shorzha të rajonit Basarkechar hapën zjarr periodikisht në pozicionet e ushtrisë së Azerbajxhanit në vendbanimin Zeylik të rajonit Kalbajar.

Njësitë e Azerbajxhanit qëlluan si kundërpërgjigje, thuhet në deklaratë, duke theksuar se për momentin situata është stabile.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit dhe shtatë rajone ngjitur.

Përleshjet shpërthyen më 27 shtator 2020 me ushtrinë armene që sulmoi civilët dhe forcat e Azerbajxhanit dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit 44-ditor, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe mbi 300 vendbanime dhe fshatra që ishin të pushtuara nga Armenia për gati 30 vjet.

Para kësaj, rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ishte nën okupim të paligjshëm.

Luftimet përfunduan me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor 2020, e cila u pa si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë.

Dy muaj më vonë, liderët e Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë nënshkruan një pakt për të zhvilluar lidhjet ekonomike dhe infrastrukturën në dobi të gjithë rajonit. Ai përfshinte gjithashtu krijimin e një grupi pune trepalësh për Malësinë e Karabakut.