Skip to content

Çmimi i naftës rritet dhe më pas nuk ulet më/ Resulaj: Ky nuk është faji i qeverisë, duhet të përshtatemi me ritmin natyror

Deputetja e PS, Pranvera Resulaj ka qenë e ftuar në studion e Fax Neës, për të folur lidhur me zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në datën 6 mars, për të cilët ajo është shprehur se fakti që kanë përballë një opozitë të përçarë nuk ishte diçka që i gëzonte socialistët.

Ndërsa sa i përket rritjes së çmimit të naftës në vend, Resulaj tha se nuk ishte faj i qeverisë dhe se ishte një ritëm natyror ndaj së cilit duhet të përshtatemi.

Pyetje: Gara në 6 bashki të vendit, përballja me dy kandidatë nga demokratët të cilët janë të përçarë

Pranvera Resulaj, deputete e PS: Partia Socialiste gjithmonë e ka pasur përballjen me veten. Për të thënë atë që e ndjej personalisht, ne nuk duhet të jemi të gëzuar që kemi një opozitë të shpartalluar përballë sepse një opozitë e shëndetshme është mirë për qeverinë. Ky është një problem i brendshëm i forcave politike që ju përmendët. Por ajo që është e rëndësishme për ne është përballja me qytetarin dhe të shohim në fund sesa i kemi përmbushur pritshmëritë e tyre.

Pyetje: Si e shihni marrëdhënien me qytetarët, a ka zhgënjim nga qarku që ju përfaqësoni, në Vlorë?

Resulaj: Nëse do thoja se janë plotësuar pritshmëritë e qytetarëve, sigurisht që nuk do isha e qartë me vetveten dhe me ta. Sikundër e thashë edhe pak më parë, PS para se të drejtojë një gisht gabimi tek kundërshtarët, tre të tjerët i drejton nga vetja. Pritshmëritë e qytetarëve mbase nuk janë përmbushur deri në maksimum.

Pyetje: Kur rritet çmimi i naftës, nuk ulet më dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri.

Pranvera Resulaj: Ne nuk mund t’i vëmë barriera dhe pengesa ciklit ekonomik, vetëm mund të vendosim amortizatorë. Në një farë mënyre këto janë ritme natyrore. Ne duhet t’u përshtatemi ndryshimeve të ritmeve. Kjo ndodh edhe për shkak të manovrave tregtare dhe të faktorëve gjeo-politikë të cilët janë gjithmonë aty. Ne duhet të përshtatemi me këtë por nuk është faji i qeverive nëse ndodhn këto ç’ekuilibrime. Detyra e qeverisë është të mbajë në kontroll këtë rritje çmimesh dhe t’u vijë në ndihmë njerëzve në nevojë.

/faxweb