Skip to content

Berisha takime në Shkodër: Mos i jepni më votë “Lul Bravës”

Në 3 dekada Shkodra ka votuar gjithnjë kandidatin e Partisë Demokratike, me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 1996. Kësaj bindje politike i ka mëshuar Sali Berisha gjatë takimeve në kryeqendrën e veriut; duke u kujdesur të shpjegojë se Partia Demokratike në garën e 6 marsit është koalicioni i lirisë.

 

 

SALI BERISHA

ISH-KRYETAR I PD

“Ju, 30 vjet keni votuar mbi logon e PD-së, kurse tani votimi nën logon e PD-së është votë e humbur, sepse ia ka dhënë Lul Bravës me policë dhe me gjykata ndaj të gjithë ju dhe të gjithë të afërmit tuaj, jeni shumë të lutur ta keni të qartë se logoja që duhet votuar më datën 6 mars, është logoja e Shtëpisë së Lirisë dhe kandidati Bardh Spahia.”

 

Pasi ka takuar fermerët e zonës Ana e Malit, Berisha ka zhvilluar një takim me intelektualet e Shkodrës. Berisha shpjegoi se synimi i lëvizjes që ai udhëheq është t’i japë vendit një opozite të vërtetë.

 

 

“Qeveria mund të bëjë zgjedhjet e gabuara, të marrë vendimet e gabuara, por ajo gjithmonë duhet të përballet me një opozitë të vërtetë, që ngjall shpresë për të dalë nga situata.Tetë vitet faktuan se opozita ishte më shumë në idealet e qytetarëve se në drejtimin e saj. Kjo periudhë merr fund. Ne që jemi këtu, jemi të vërtetë. Ne nuk pranojmë një filozofi të tillë. Ne nuk e pranojmë pseudo-pluralizmin”.

 

Ish-kryeministri Berisha u premtoi shkodranëve rikthimin e figurave që Basha largoi nga PD dhe hapjen e partisë për njerëz të rinj.

 

 

“Kam kënaqësi që fushatën këtu në Shkodër e udhëheq Arben Imami nga Tirana. Kërkesën për këtë e paraqitën nga këtu, nuk erdhi nga unë, pasi ai ka punuar në të kaluarën në Shkodër. Të gjithë ata që kanë kontribute, janë të mirëpritur dhe do rikthehen. Jozefina Topalli ka kontribute të pamohueshme.”

Në Shkodër koalicioni “Shtëpia e Lirisë” do të kërkojë fitoren për kandidatin Bardh Spahia përballë kandidates së PS dhe kandidatit të Lulzim Bashes.