Skip to content

‘Na hoqën, na hoqën, ne punëtor mbeturinash jemi’, për të dytën ditë me radhë protestojnë punonjësit e inceneratorit të Elbasanit: Kemi hyrë në borxhe, na bëjnë presion…

Për të dytën ditë me radhë, punonjësit e inceneratorit të Elbasanit kanë dalë në protestë, për shkak të mosmarrjes së pagave.

Në mikrofonin e Fax News, ata tregojnë se nuk janë paguar që prej dy muajsh, dhe kjo situatë ka rënduar ndjeshëm familjet e tyre. Tashmë që inceneratori i është dorëzuar shtetit, askush nuk u jep llogari atyre se kur do të paguhen.

“Kemi parë në televizora që Elbasani i ka kaluar bashkisë, inceneratori, nëse ikën kompania, ku të shkojmë dhe të ankohemi ne. Vonesa në dhënien e pagave ka pasur, por kemi rënë në ujdi dhe kemi vazhduar, tani kemi frikën se me kë do të bisedojmë”, shprehet një prej punëtorëve.

Një tjetër tregon se është i vetmi i punësuar në familjen e tij.

“Kam hyrë në borxh, kam punuar te plehrat, nuk kam mundësi që të shlyej qeratë. Na bënë presion gjatë ditës së djeshme, se pse kemi dalë në protestë, na dhanë urdhër që të mos protestonim. I lutem gazetarëve dhe atyre që e kanë përsipër, të vijnë dhe të ballafaqohen me ne. Unë 320 mijë lekë marr, ku i çojnë lekët tona që mbledhim mbeturinat”.

Ndërkohë që në mesin e punonjësve është dhe një djalë i ri që paguhet vetëm 260 mijë lekë të vjetra, e madje tregon se ka qëndruar në provë për 3 muaj.

“Kemi 2 muaj që nuk marrim rrogat, na kanë thënë jo sot, po nesër. Ne skemi asnjë send tjetër, merr borxh aty, merr borxh atje. Dje na thërritën dhe na thanë se do të merrnim lekët. Kur shkuam te banka, dhe na thanë që lekët nuk kishin kaluar. Ne punëtor mbeturinash jemi, na hoqën, na hoqën”.

Inceneratori i Elbasanit është nën sekuestro nga SPAK, dhe i ka kaluar në administrim Bashkisë së Elbasanit, ndërkohë që pjesa më e vogël e aksioneve do të administrohen nga bashkitë e tjera të qarkut.

Kjo ka shkaktuar dhe përplasjet financiare, duke lënë pa paga dhjetra punonjës që nuk kanë asnjë burim tjetër të ardhurash./faxweb.al

/faxweb