Policia ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me vrasjen e Altin Alikajt në Vlorë, i cili u gjet i vdekur në banesë.
Ndryshe nga dyshimet paraprake ku u tha se Alikaj ishte qëlluar me sëpatë, policia thotë se plagët në kokën e viktimës janë të ngjashme me ato të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Burimet policore i thanë Fax News se viktimës i është gjetur një plumb në shpatull në anën e majtë, si dhe një frakturë në kokë.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se 46 vjeçari para disa kohësh ka qenë në Kosove, ku dhe i është mbajtur pasaporta, duke bërë që të kthehej në Shqipëri në mënyrë ilegale.
Pas vrasjes është zhdukur dhe telefoni i tij, ndërkohë që dyshohet se krimi ka disa ditë që ka ndodhur.
Pista kryesore e hetimeve është ajo që vrasja ka ndodhur për shkak të borxheve dhe konflikteve të mundshme mbi lëndët narkotike.
Vetë Alikaj dyshohet se ka qenë përdorues.
Ai kishte humbur kontaktet me familjen e tij 8 ditë më parë, dhe është dashur mbërritja e prindërve të tij nga Greqia, për të hyrë në banesë, dhe për të gjetur më pas edhe trupin e pajetë.
Burime bëjnë me dije për Fax News se policia dyshon për një ngjarje kriminale, të planifikuar, pasi janë helmuar më herët qentë e komshinjve, që të mos shkaktonin zhurma.
Po ashtu është ulur automati i dritave dhe në banesë është gjetur një sëpatë me gjurmë gjaku.
Njoftimi i policisë:
Në vijim informacionit paraprak, i cili bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në lagjen “24 Maji”, ku është gjetur i pajetë, në banesë, nga nëna e tij, shtetasi A. A., 46 vjeç, i cili ishte shpallur i humbur më datë 11.02.2022, ju bëjmë me dije se:
Nga këqyrja paraprake në trupin e shtetasit A. A., janë konstatuar dëmtime të ngjashme, si ato të shkaktuara me armë zjarri. Trupi i viktimës ndodhet në morgun e Vlorës, për ekzaminime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe grumbullimin e provave që do të çojnë në identifikimin e autorit/ve të ngjarjes.
…
/faxweb
