Skip to content

Putin mbikëqyr stërvitjen e forcave bërthamore ruse

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka dhënë urdhrin për fillimin e stërvitjes gjithëpërfshirëse ku marrin pjesë forcat e triadës bërthamore.

Lëshimin e raketave balistike në stërvitjen ku marrin pjesë forcat e triadës bërthamore, Putin e ndoqi nga Qendra për kontrollin e situatës në Pallatin e Kremlinit bashkë me presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, në stërvitjen e planifikuar më parë marrin pjesë njësitë e Forcave Ajrore dhe Hapësirës, Rajonit Ushtarak Jugor, Forcat Raketore Strategjike si dhe flotat veriore dhe të Detit të Zi.

Stërvitja gjithëpërfshirëse e kryer me forcat e rrethimit strategjik ku testohen raketat balistike dhe ato me udhëzim, mbart cilësinë e parandalimit strategjik.

Triadat bërthamore përbëhen nga avionët bombardues strategjikë, raketat e instaluara në tokë dhe nëndetëset me raketa balistike. Në këtë mënyrë këto triada i ofrojnë ushtrisë mundësi të lëshojnë raketa bërthamore nga ajri, toka dhe deti.