Skip to content

Vazhdon evakuimi i civilëve ukrainas nga rajoni Donbas drejt Rusisë

Derisa tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës po rritet për pretendimet mbi një ofensivë të mundshme nga të dyja palët, vazhdon evakuimi i cilëve nga rajoni Donbas në kufirin ukrainas drejt qyteteve ruse.

Deri më tani mbi 90 mijë civilë ukrainas janë evakuuar, me të paktën 20 mijë vetëm brenda 24 orëve të fundit.

Separatistët pro-rusë në rajonin Donbas të Ukrainës lindore të premten e kaluar urdhëruan një evakuim masiv të qytetarëve në Rusi.

Udhëheqësit e dy rajoneve separatiste, Donetsk dhe Luhansk, pretenduan se Ukraina po përgatit një ofensivë ushtarake në rajon dhe theksuan se do të kenë përparësi evakuimin e grave, fëmijëve dhe të moshuarve në rajonin Rostov përtej kufirit.

Ukraina i mohoi akuzat. Komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhny, tha se Kievi nuk planifikon “asnjë operacion sulmues ose granatim të civilëve në Donbas”.

Sipas zyrtarëve ukrainas dhe NATO-s, Moska ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikë se Kremlini mund të planifikojë një ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.

Duke mohuar se po përgatitet të pushtojë, Rusia ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufirit të saj.

Rusia po ashtu lëshoi një listë të kërkesave të sigurisë për Perëndimin, përfshirë tërheqjen e dislokimeve të trupave nga disa ish-vende sovjetike dhe garanci se disa nga ato vende nuk do të anëtarësohen në NATO.