Rusia, Kina dhe Serbia kanë vazhduar të furnizojnë me armë juntën ushtarake në Mianmar, që janë përdorur për të sulmuar civilët që nga grushti ushtarak, sipas një raporti të Tom Andrews, raportuesi i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të drejtat e njeriut në Mianmar.

Ekspert i OKB-së publikoi sot raportin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, duke renditur Kinën dhe Rusinë si dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që furnizuan Mianmarin me armë që përdoren kundër civilëve.

Me këtë rast, Andrew u bëri thirrje vendeve eksportuese që të ndalojnë menjëherë shitjen e armëve në Mianmar.

“Pavarësisht dëshmive se krimet e juntës u kryen pa u ndëshkuar që nga grushti i shtetit të vitit të kaluar, anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së Rusia dhe Kina vazhdojnë t’i ofrojnë juntës ushtarake të Mianmarit një numër avionësh luftarakë, automjete të blinduara dhe, në rastin e Rusisë, premtime për armë të tjera”, tha Andrews.

Ai shtoi se gjatë të njëjtës periudhë, “Serbia miratoi eksportin e raketave dhe artilerisë për ushtrinë e Mianmarit”.

Andrews bëri thirrje gjithashtu për seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar dhe votuar një rezolutë, që së paku, të ndalohet transferimi i armëve që dihet se përdoren nga ushtria e Mianmarit për të sulmuar dhe vrarë civilë në vend.

“Ndalimi i krimeve të juntës fillon duke bllokuar aksesin e tyre ndaj armëve. Sa më shumë që bota zvarrit, aq më shumë njerëz të pafajshëm, përfshirë fëmijë, do të vdesin në Mianmar”, tha raportuesi i OKB-së.

Ai vuri në dukje se qytetarët e Mianmarit meritojnë votimin e një rezolute që do të ndalojë shitjen e armëve që përdoren për t’i vrarë ata. “Shumë familje ndodhen në shënjestër të armëve që ofrohen nga vendet anëtare. Kjo duhet të marrë fund”, tha Andrews.

Raporti citon gjithashtu shtete që kanë miratuar transferime armësh që nga viti 2018, kur krimet kundër pakicës etnike Rohingya në Mianmar janë dokumentuar gjerësisht dhe një mision faktmbledhës i OKB-së ka bërë thirrje për embargo urgjente të armëve.

Qershorin e kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që u bën thirrje vendeve anëtare të ndërpresin furnizimin me armë për Mianmarin.

“Është e domosdoshme që shtetet anëtare dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së të veprojnë urgjentisht për të ndaluar shitjet e armëve për juntën ushtarake. Kjo është një çështje e jetëve njerëzore dhe kredibilitetit të Këshillit të Sigurimit”, tha Andrews.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re