Skip to content

Përleshje në Donbas, vritet një ushtar ukrainas dhe plagosen gjashtë të tjerë

Së paku një ushtar ukrainas ka humbur jetën, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën si pasojë e zjarrit të hapur nga separatistët pro-rusë në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës.

Në njoftimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës theksohet se separatistët pro-rusë dje e kanë shkelur armëpushimin 96 herë.

Gjatë hapjes së zjarrit një pjesëtar i forcave të sigurisë të Ukrainës u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën.

Akumulimi i dhjetëra mijëra trupave ruse në kufirin me Ukrainën në javët e fundit ka ngritur frikën e pushtimit.

Tensionet në Ukrainën lindore janë rritur në mënyrë dramatike këtë javë, me një numër në rritje të shkeljeve të armëpushimit, bombardimeve dhe evakuimit të civilëve nga rajonet separatiste pro-ruse.

Vendet perëndimore kanë akuzuar Rusinë për grumbullimin e më shumë se 100.000 trupave pranë Ukrainës, duke rritur frikën se ajo mund të planifikojë një ofensivë ushtarake kundër fqinjit të saj.

Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën dhe në vend të kësaj ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së Rusisë përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Megjithatë, Rusia të hënën njohu rajonet separatiste të Ukrainës, të ashtuquajturat republika popullore Donetsk dhe Luhansk. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe shumë vende, dënuan ashpër aktin e presidentit rus, Vladimir Putin dhe përsëritën mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe njoftuan një reagim të përbashkët.