Banorët e disa lagjeve të Tiranës, ku do të prishen qindra banesa, kanë dalë sot sërish në protestë përpara Kuvendit, në një kohë kur 5 persona mbahen në paraburgim, pasi bënë rezistencë kundër shembjes së banesave të tyre në zonën e 5 Majit në Tiranë.
Ata kërkuan takim me kryeparlamentaren Lindita Nikolla, ndërkohë që kërkuan lirimin e bashkëvuajtësve të tyre.
“E nderuara zonja kryeparlamentare, e nderuara Lindita, dil dhe më tako, dilni këtu. Ne nuk na ka mbetur më asgjë, ekonomia u harrua, po dinjiteto nuk harrohet, nuk na mbetet më gjë tjetër veçse të këndojmë këngën e Sherif Merdanit ‘po ku ishe ti o Zot’. Ku do ti çoni këta njerëz, a keni gjak, apo në venat tuaja ka drogë. Si nuk ua vrasin syrin këto kulla, si nuk u ngopët, por do tju ngopi Zoti”, tha një prej qytetareve.
Ndërkohë që një prej banorëve të zonës së Kodrës së Priftit në Tiranë, u bëri thirrje qytetarëve të tjerë që ti bashkohen protestës së tyre, pasi nesër radha mund të shkojnë në shtëpitë e tyre.
“A keni gjak a keni zemër, a keni pak ndërgjegje familjare ju? Bëni detyrën e shtetit, mos u mjaftoni me ato 5 lekë të qelbura që merrni nga rroga juaj. Ka shumë projekte që po të hysh në internet i gjen, sot është radha jonë, nesër është radha juaj, mos kujtoni se do të shpëtoni. Dje ishte shprehja në emër të popullit, sot është shprehja në emër të kryeministrit, të gjithë mund ta keni radhën pas nesh”, u shpreh një banor i zonës së Kodrës së Priftit.
Banorët kanë kërkuar reagimin e deputetëve të zonave që preken nga projektet në Tiranë, të cilëve iu kërkojnë muajt e fushatës kur iu kërkonin votat.
…
/faxweb
