Skip to content

Presidenti Meta mbledh me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti i vendit Ilir Meta ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pasditen e sotme.

Në mbledhje pritet të jenë të pranishëm krerët më të lartë të shtetit, ku do të diskutohet në lidhje me situatën në Ukrainë. Gjatë mëngjesit të sotëm, Rusia ndërhyu ushtarakisht në Ukrainë, ndërkohë që derimë tani raportohet për dhjetra persona të vrarë.

“Pas agresionit rus në Ukrainë, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta mbledh sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare në ora 17:30”, shkruan Tedi Blushi.

Derimë tani të gjithë krerët më të lartë të shtetit shqiptar, por edhe politikës kanë dënuar sulmin në Ukrainë, ndërkohë që e gjitha BE dhe shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Këshilli i Sigurisë përbëhet nga 14 anëtarë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës.

Anëtarët e tjerë të tij janë kryetari i Kuvendit, kryeministri, 7 ministra—i mbrojtjes, drejtësisë, punëve të brendshme, financave, transportit, punëve të jashtme dhe energjisë.

Anëtarë e tjerë janë Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Ligji i jep të drejtën Presidentit të “ftojë pjesëmarrës të tjerë” në mbledhjet e Këshillit, por që nuk gëzojnë të drejtat e anëtarëve.

/faxweb