Nga: Sali Shasivari
Ajo për të cilën një pjesë e njerëzve fliste; një pjesë tjetër propagonte dhe parashikonte; ndërsa pjesa e tretë ishte skeptike dhe dyshonte…; tashmë, u shndërrua në realitet të kobshëm… Invazion dhe agresion barbar rus ndaj Ukrainës dhe ukrainasve…!
Asgjë e re… Një luftë tjetër barbare, në vargun e tragjedive të njëpasnjëshme njerëzore…!
‘Loja’: reprizë e tragji-komedisë konstante njerëzore…!
‘Skenaristët’: të njejtat ‘elita’, grupe të interesit, dhe tregtarë të fateve njerëzore, të cilët, nën sllogane të ndryshme – herë në emër të “paqes botërore”, “lirisë”, “demokracisë”, “vlerave perendimore”, ‘kryqëzatave të reja’, ‘‘luftës kundër terrorit”, etj., e herë në emër të bindjeve ideologjike apo nacionale, ‘pan-ortodoksizmit’, aleancave, gjeo-politikave, ‘demilitarizimit’, etj. – ushtrojnë terror, masakra, gjenocid, dhe krime ndaj popujve të tërë…!
Epilogu: Shkaktarët, nxitësit, dhe realizuesit e krimeve dalin përfitues /profiterë; ndërsa, ata që e pësojnë, si zakonisht, janë masat e gjera të pafajshme njerëzore gjithandej…!
Për ta kuptuar dhe ndryshuar këtë realitet të hidhur, apose, së paku, për t’i ngadalësuar dhe zbutur ritmet, intensitetin, dhe efektet negative të këtyre ‘dramave’ tragjikomike njerëzore, para së gjithash, duhet kuptuar prapaskenat e tyre, respektivisht shkaqet, shkaktarët, indikatorët, lojtarët, si dhe pasojat dhe përfituesit e këtyre ‘shfaqjeve’ dhe ‘lojërave’ të fëlliqura antinjerëzore…; e mëpastaj nxjerrja e mësimeve prej tyre…
Andaj, në lidhje me prapaskenat, si dhe, mësimet që duhet nxjerrur nga ky realitet i hidhur, do të nënvizoja çështjet në vijim:
– Bota në të cilën jetojmë gjendet buzë greminës. Njerëzorja dhe njerëzimi gjendet në rrezik. Krizat shpirtërore, morale, etike, psikologjike, shoqërore, arsimore, ekonomike, politike, si dhe kurthet, konfliktet, luftërat, etj, po e rëndojnë tejmase qenien e sotme njerëzore…!
– Populli sirian, irakian, mijanmaras, kashmirian, afrikano-qendror, jemenas, libian, palestinez, ukrainas, etj., janë viktimë e drejtëpërdrejtë e skenareve ogurzeza; ndërsa, popujt tjerë “të lirë”, janë ‘viktima’ të maqinerisë propagandistike të disa ‘djajve’ në formë njeriu, të cilët aktrojnë rolin e “mbrojtësit” dhe “shpëtimtarit”, duke derdhur ‘lotë krokodili’ kundrejt ‘gjahut’ të tyre…!
– Krizat e këtilla nuk duhet shikuar nga këndi sipërfaqësor dhe përshkrues; por, duhet analizuar në thellësi shkaqet dhe shkaktarët e vërtetë…
– Krizat e këtilla janë të krijuara dhe të nxitura qëllimisht dhe me paramendim nga qarqe ta caktuara, tashmë të njohura…; edhe atë, për qëllime dhe ‘hesape’ djallëzore…; duke përdorur popuj të tërë si ‘karrem’ dhe si ‘mish për top’…!
– Shkaktarët, ‘tregtarët’ dhe përfituesit e këtyre kurtheve njerëzore janë një numër i vogël i personave, familjeve, klaneve, korporatave, grupeve të interesit, dhe grupeve ideologjike, të cilët, për hirë të kanibalizmit, egos dhe epsheve të tyre, po i kanosen indit njerëzor, si dhe rrezikojnë që ta helmojnë dhe shkatërrojnë tërë shoqërinë njerëzore… Ndërsa, viktimë e veprimeve të këtilla të padrejta, johumane dhe çnjerëzore, janë pjesa dërrmuese e banorëve të këtij globi…!
– Dikur, kishim të ashtuquajturën ‘Luftë e Ftohtë’, e cila luftë, si e tillë, ishte e “ftohtë” në mes dy protagonistëve kryesorë, ndërsa, për disa popuj dhe palë tjera ishte luftë tejet e ‘nxehtë’…, ngase, gjitha rrjedhat, fatkeqësitë dhe pasojat ushtroheshin në kurriz të tyre… Ky realitet i hidhur vazhdon edhe sot e kësaj dite, ndonëse në forma tjera…!
– Konfliktet dhe luftërat e sotme nuk duhet shikuar si përplasje klasike në mes dy poleve, dy aleancave, dy popujve, dy shteteve, dy grupeve, etj.; por, çdoherë, duhet patur parasyshë faktin se, në prapaskenat e konflikteve të këtilla, zakonisht qëndron një palë e tretë, e cila, i lëviz ‘penjtë’ nga ‘lartë’ apo ‘prej pas perdeve’, duke i nxitur dy palë kundër njëra tjetrës, si dhe, duke i përkrahur dhe furnizuar të dyja… Për pasojë, dy palët shkatërrohen, ndërsa, pala e tretë shpall ‘triumf’, realizon interesa, dhe ndërton ‘fronin’ e saj mbi eshtrat dhe gërmadhat e palëve në konflikt…!
– Në këtë epokë ‘post të vërtetës’ (post truth era), masmediat – të cilat në përgjithësi kontrollohen nga po të njejtat ‘elita’, grupe të interesit, dhe tregtarë të fateve njerëzore, luajnë rol tejet negativ në imponimin e territ informativ, shtrembërimin e të vërtetave, promovimin e antivlerave dhe padrejtësive, nxitjen e urrejtjes dhe luftërave, etj.!
– Në këtë epokë të ‘krijimit të skenareve’, jo vetëm që kemi skenare të planifikuara, por edhe ‘opozitë të planifikuar’… Andaj, kujdes nga rënia në grackat e ‘opozitës së planifikuar’…!
– Komunikimet që po hasen nëpër rrjetet sociale në përgjithësi, nxjerrin në pah të vërteten e hidhur, se, deri në çfarë shkalle ekstreme është normalizuar lufta, vrasja dhe gjakderdhja…!
– Këto vatra krize dhe këto tragjedi njerëzore, çdo ditë e më tepër nxjerrin në pah ndërgjegjen e venitur, indiferencën e turpshme, si dhe pakujdesinë, ironinë dhe cinizmin e skajshëm të komunitetit njerëzor në përgjithësi; komunitet ky, i cili, në vend se të vetëdijësohet dhe të reagojë ndaj padrejtësive dhe dhunës që po ushtrohet ndaj vëllezërve të tyre në njerëzi, i njejti komunitet po vazhdon të jetojë në iluzione, duke u shtirur sikurse nuk po ndodh asgjë…; duke harruar gjithmonë faktin se, ‘çka vjen në kojshi, prite edhe në shtëpi’…!
– Këto vatra krize dhe këto tragjedi njerëzore, çdo ditë e më tepër nxjerrin në pah fytyrën e shëmtuar të organizatave, shteteve, institucioneve, grupeve dhe individëve, të cilët pretendojnë se promovojnë paqe, liri, demokraci, barazi, të drejta të njeriut, humanitet, solidaritet dhe prosperitet. Kështu, sa herë që bie një viktimë, bashkë me të bjen një maskë nga maskat e shumta të këtyre qarqeve dhe personave hipokritë, të cilët, parullat e lartëpërmendura i shfrytëzojnë si paravan për realizimin e interesave të tyre të pangopura, si dhe qëllimeve të tyre djallëzore…!
– Pas gjitha krizave të njëpasnjëshme, duke përfshirë edhe këtë të fundit, OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit, duhet ose të ri-strukturohen, ose duhet të pushojnë se ekzistuari… Përndryshe, kështu siç janë, impotente, dhe me elementin e turpit të ashtuquajtur ‘Veto’, janë të panevojshme…!
– Kur ke parasyshë faktin se, 5 shtetet anëtare të përhershme Këshillit të Sigurimit të OKB-së, jo vetëm që gëzojnë të drejtën e ‘Vetos’, por janë edhe fuqi bërthamore, si dhe, faktin se, Izraeli posedon mbi 200 koka nukleare, por, një gjë të këtillë e mohon…; atëherë, nuk mund të pritet paqe dhe siguri në botë…!
– Fuqitë perëndimore, të cilat hegjemonizuan, kolonizuan, sulmuan dhe shkatërruan shumë popuj dhe vende, duke shkaktuar shumë kriza, dhimbje, fatkeqësi, tmerre, krime, masakra, gjenocid, etj., e kanë humbur argumentin moral që moti… Andaj, sot, ato qëndrojnë të pafuqishme para ‘ariut rus’ dhe invazionit të tij në Ukrainë…!
– Rusia e sotme ‘putiniane’, e cila, ‘pardje’ ushtroi gjenocid të paparë kundër popullit sirian, ‘dje’ terrorizoi popullin libian, ndërsa ‘sot’ po vret popullin ukrainas, nuk dallon aspak nga Rusia cariste, bolshevike, komuniste, dhe sovjetike, e cila shkaktoi krime të papara kundër njerëzimit për vite, dekada dhe shekuj me rradhë…!
– Po qe se bota e ‘civilizuar’, përgjatë viteve dhe dekadave të fundit, në vend se të fliste, propagonte, dhe krijonte rrezikun imagjinar të ashtuquajtur ‘terrorizëm islamik’, dhe, në vend të këtij iluzioni, të merrej me rrezikun e vërtetë të ‘policëve’ dhe kryekriminelëve botëror…; bota sot do të ishte vend më i mirë dhe më i sigurt për të jetuar…!
– Këto vatra krize dhe këto tragjedi njerëzore, çdo ditë e më tepër nxjerrin në pah ndërgjegjen e venitur, indiferencën e turpshme, si dhe pakujdesinë, ironinë dhe cinizmin e skajshëm të komunitetit njerëzor në përgjithësi, i cili, në vend se të vetëdijësohet dhe të reagojë ndaj padrejtësive dhe dhunës që po ushtrohet ndaj vëllezërve të tyre në njerëzi, i njejti komunitet po vazhdon të jetojë në iluzione, duke u shtirur sikurse nuk po ndodh asgjë…!
– Po të kishte reagim korrekt dhe të mirëfilltë në momentet kur shkaterroheshin – dhe vazhdojnë të shkatërrohen – popuj të tërë nga krizat e ndryshme, luftërat, uria, etj.; reagimet dhe thirrjet e sotme në mbrojtje të popullit ukrainas do të kishin më shumë peshë dhe kuptim…!
– Përreth shumë aspekteve dhe prapavijave tjera ekonomike, politike, dhe gjeo-strategjike…; kriza e fundit aktuale në Ukrainë ngërthen në vehte edhe tentativën për ‘transferë’ dhe ‘dalje të sigurtë’ nga plandemia ‘Covid-19’, si dhe ikjen nga përgjegjësia të të gjithë protagonistëve të cilët e shkaktuan këtë krizë si dhe gjitha krizat tjera të cilat u paraqitën si pasojë e saj… Rrjedhat dhe ‘tajmingu’ janë argument më i mirë në lidhje me këtë që po them…!
– Kjo botë, çdo ditë e më tepër po thellohet në kriza më të mëdhaja, dhe po bëhet vend më i pasigurtë dhe i rrezikshëm për jetë… I ashtuquajturi ‘Sistem i Ri Botëror’ post-kovidian, i cili po formësohet dita ditës, sinjalizon për një botë gjithnjë e më të shëmtuar…! Etj., etj., etj. …
Të gjitha këto prapaskena dhe këto mësime të cilat u përmendën, dhe shumëçka tjetër që mbeti pa u përmend, duhet të i zgjojnë nga gjumi të gjithë ata që posedojnë shpirt njerëzor, arsye të shëndoshë, dhe ndërgjegje të gjallë dhe të pastër…, me qëllim të vetëdijesimit dhe ngritjes së zërit të arsyes; sa nuk është bërë tepër vonë…!!
Në këtë kontekst, është momenti i fundit që, edhe populli shqiptar, në vend se të presë që dikush tjetër t’ia rregullojë oborrin dhe t’ia mbrojë pragun dhe nderin, të zgjohet nga kjo letargji dhe ky vetëmashtrim, duke krijuar unitet, dhe duke ndërtuar kapacitetet e veta mbrojtëse… Ngase, rasti i Ukrainës – sikurse shumë raste tjera – është argument dhe tregues më i mirë se, ‘askush nuk është i gatshëm që ta zhvillojë luftën tënde’…!!!
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



