Skip to content

Basha: Lufta në Ukrainë do ndikojë edhe në ekonominë tonë! Qeveria të sigurojë rezerva të mjaftueshme ushqimore dhe karburant

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje qeverisë që të publikojë masat që ka marrë për t’i bërë ballë ndikimeve që do të ketë lufta në ekonominë e çdo familjeje shqiptare.

“Është e qartë për të gjithë se agresioni rus kundër Ukrainës pritet të ndikojë negativisht në ekonomi, nga çmimi i drithërave e karburanteve deri te shërbimet. Prandaj kërkoj që qeveria të bëjë transparencë për gjendjen e rezervave të shtetit, për planin e masave apo masat që ka ndërmarrë.

Gjendja ekonomike e shqiptarëve është e qartë për të gjithë. Më shumë se gjysma e shqiptarëve e kanë të vështirë të sigurojnë ushqimin  për fëmijët e tyre.  Prandaj është parësore dhe e menjëhershme detyra që Qeveria të ketë gati një plan masash që të sigurohet rezerva ushqimore dhe t’i gjendet pranë familjeve në nevojë.

Duhet menjëherë marrja e masave konkrete edhe në drejtim të pasojave që do të vijnë nga rritja e çmimet të naftë”, deklaroi Basha.