Një prokuror i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) tha se do të fillojë hetime për situatën në Ukrainë.
“Sot, dua të njoftoj se kam vendosur të vazhdoj me hapjen e hetimit për situatën në Ukrainë, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Karim A.A. Khan në një deklaratë.
Khan tha se sipas ekzaminimit paraprak të situatës në Ukrainë, “ekziston një bazë e arsyeshme për të vazhduar me hapjen e hetimit”.
“Jam i kënaqur që ka një bazë të arsyeshme për të besuar se në Ukrainë janë kryer si krime lufte ashtu edhe krime kundër njerëzimit në lidhje me ngjarjet e vlerësuara tashmë gjatë ekzaminimit paraprak”, shtoi ai.
Khan bëri thirrje gjithashtu për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe të gjitha shteteve palë, ndërsa zyra e tij “nis hetimet e saj”.
“Unë ju bëjë thirrje për mbështetje shtesë buxhetore, për kontribute vullnetare për të mbështetur të gjitha situatat tona dhe për huazim të personelit pa pagesë. Rëndësia dhe urgjenca e misionit tonë është shumë serioze që të mbahet peng i mungesës së mjeteve”, tha ai.
“Do të vazhdoj të ndjek nga afër zhvillimet në terren në Ukrainë dhe përsëri do të bëj thirrje për përmbajtje dhe respektim të rreptë të rregullave të zbatueshme të ligjit ndërkombëtar humanitar”, shtoi Khan.
Lufta Rusi-Ukrainë hyri në ditën e saj të gjashtë të martën, ndërsa raportet e fundit tregojnë se trupat ruse po shkojnë drejt kryeqytetit, Kiev.
Lufta është pritur me zemërim nga komuniteti ndërkombëtar, kurse Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Japonia dhe SHBA-ja zbatuan një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Të paktën 102 civilë janë vrarë deri më tani në Ukrainë dhe më shumë se 500.000 të tjerë janë larguar nga vendi, sipas zyrtarëve të OKB-së.
Ukraina thotë se më shumë se 350 civilë janë vrarë dhe mbi 1.600 janë plagosur gjatë sulmeve nga forcat ruse.