Pas bisedimeve me autoritetet ukrainase, Rusia sot shpalli një armëpushim të përkohshëm për hapjen e korridoreve humanitare për dy qytete të Ukrainës.
Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë njoftoi armëpushimin për kalimin e sigurt të civilëve nga qytetet Mariupol dhe Volnovakha.
“Sot, më 5 mars, nga ora 10:00 me orën e Moskës, pala ruse shpall armëpushimin dhe hap korridoret humanitare për civilët që të largohen nga Mariupol dhe Volnovakha”, thuhet në deklaratë.
Korridoret dhe rrugët e daljes janë dakorduar me palën ukrainase, shtohet në deklaratë.
Banorët në Mariupol, i cili ka qenë nën granatimet e forta nga forcat ruse për disa ditë, janë detyruar të jetojnë pa ushqim, ujë dhe energji elektrike, sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Vadim Boychenko.
Mariupol është një qytet limanor i rëndësishëm, kurse Volnovakha shtrihet në brendësi të rajonit lindor të Donetskut, njohja e të cilit si “i pavarur” nga Rusia ndodhi në prag të luftës me Ukrainën.
Njoftimi pasoi një raund të dytë të bisedimeve Rusi-Ukrainë për t’i dhënë fund luftës midis dy vendeve.
Rusia dhe Ukraina ranë dakord të krijojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve dhe për dërgesat e ushqimit dhe ilaçeve, tha një anëtar i delegacionit negociues të Ukrainës të enjten pas bisedimeve.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka shkaktuar reagime të shumta nga komuniteti ndërkombëtar, ku Bashkimi Evropian, Britania dhe SHBA-ja, ndër të tjera, kanë vendosur një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Qindra civilë kanë humbur jetën dhe qindra janë plagosur që nga fillimi i sulmeve ruse.
Më shumë se 1,2 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.