Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, foli nga Vora lidhur me ngërçin e krijuar në qendrat e votimit në lidhje me komisionerët e ndryshuar të Partisë Demokratike.
Tabaku i bëri thirrje PS-së dhe LSI-së që të respektojnë vendimin e KAS dhe të mos bllokojnë procesin, pasi do të kallëzohen penalisht.
“Të gjithë përfaqësuesit tanë janë nëpër komisione dhe kam vënë re se përfaqësuesit e LSI-së dhe Partisë Socialiste kanë refuzuar ta zbatojnë këtë vendim.
Nuk ka asnjë komisioner nga Kamza, kemi sjellë komisionerë të rinj, të cilët kanë pasur eksperiencë në njësinë numër 10 në Tiranë me votimin elektronik. Kemi sjellë të rinj të trajnuar për të lëvizur sa më shpejt në procesin e votimit elektronik.
Ajo që është për tu theksuar sot është se PD i ka të gjithë njerëzit në terren. I bëj thirrje anëtarëve të LSI-së dhe PS-së të mos bllokojnë procesin pasi do kallëzohen penalisht.
KAS-i ka marrë një vendim për sekretarët dhe kryetarët për të plotësuar kuorumin dhe ndaj unë i bëj thirrje komisionerëve të PS-së dhe LSI-së që të zbatojnë vendimin e KAS.
PD i ka të gjithë njerëzit në terren por për të tejkaluar ngërçin e votimit elektronik kemi sjellë njerëz të trajnuar.
Janë duke u kryer votime familjare dhe ndaj ngaqë është një teknologji e re ne sollëm njerëz të trajnuar. I ftoj njerëzit të votojnë masivisht subjektin Partia Demokratike, të vetmin subjekt të opozitës”, tha Tabaku.
