Skip to content

Rezultati i Vorës, Veliaj: Në Shqipëri s’ka më bastione, do punojmë për ata që nuk na votuan

Drejtuesi politik i Qarkut Tiranë për Partinë Socialiste, Erion Veliaj, ka dalë menjëherë në një deklaratë për mediat pas fitores që të majtët kanë marrë bindshëm në Bashkinë e Vorës, duke thënë se “në Shqipëri, nuk ka më bastione të partive politike”.

Me një ndryshore të theksuar votimesh, kandidati socialist, Blerim Shera, e mori mandatin e pjesshëm një-vjeçar në krye të bashkisë. Pas, ndjek kandidati i lëvizjes Berisha nën logon e koalicionit Shtëpia e Lirisë, Lulzim Vrana.

Ndërkaq, kandidati i Partisë Demokratike, Ymer Marku, ka marrë një rezultat zhgënjyes, me vetëm 6.4% të votave totale, duke shënuar një rënie të thellë të demokratëve në votime.

Vetë socialistët, morën thuajse 70% të gjithë votave.

Megjithatë, Veliaj cilësoi se punën, do ta bëjnë edhe për ata, të cilët nuk e votuan Sherën për të marrë mandatin.

Përgëzime pati nga kryebashkiaku i Tiranës edhe për procesin e votimit elektronik, i cili e nxjerr rezultatin në kohë reale. Për këtë fakt dhe për minimizimin e gabimit njerëzor, Veliaj është shprehur optimist se prej zgjedhjeve të ardhshme, sistemi mund të implementohet në gjithë Shqipërinë.