Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestat në Shqipëri për rritjen e çmimeve i shërbejnë Rusisë. Në një takim me pensionistët, kreu i qeverisë deklaroi se protestat janë të organizuara nga politika.
Kreu i qeverisë thotë se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë dhe në asnjë vend, ku janë ndjerë pasojat e luftës nuk dalin në protesta.
“Por kjo është turp. Është një trup i pashoqë i të gjitha atyre që e nxisin, që nuk kanë trup. E kanë bërë divorcin me turpin dem baba dem dhe ju e dini kush janë.
Keqardhje për ata që i sjellin nga gjithë anët e Shqipërisë, të paguar nga kush? Kush i paguan naftën atyre autobusëve, i paguajnë ata të shkretët që vijnë me dy gishta kështu.
Ne i dimë kush janë, janë për keqardhje, por turp edhe ata që mbështesin këtë protestë. Është një protestë që e shëmton Shqipërinë, që e turpëron shqiptarin.
Ka pasur një shok të rritjes së çmimeve që kur ka filluar lufta, por çfarë do bëjmë ne sikur kjo histori të vazhdojë me muaj dhe vite.
Do dalim të hamë njëri – tjetrin në rrugë? Si mund të jemi ne i vetmi vend që dilet dhe protestohet për pasojat e luftës mbi çmimet, ku në asnjë vend tjetër ku efektet janë njësoj dhe të gjithë janë të shqetësuar të dalin njerëzit për të protestuar kundër luftës, këtu bëhet një protestë që mund ti pëlqeje Rusisë. Kjo është një nga pjesët e strategjisë të asaj lufte.
Që njerëzit që mbështesin Ukrainën të dalin në protesta ekonomike dhe më pas të harrojnë se çfarë luhet atje. Atje nuk luhet fati i Ukrainës, por i Evropës”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri deklaroi se ai ka mbështetur protestuesit aty ku ata kane pasur te drejte, duke sjelle tre raste, protestat e kukesianeve per tarifen, studentet dhe protesten e armeve kimike.
“Ne i kemi dëgjuar protestat me respekt dhe institucionin e protestës jo vetëm e kemi respektuar, por ajo mund të sjellë vlerë të shtuar për qeverisjen. Qysh në protestën për armët kimike, pastaj me protestën për tarifën për banorët e Kukësit dhe me protestën e studenteve janë tre raste kur qeveria ka reaguar dhe në rastin e Kukësit unë kam dalë dhe kam kërkuar ndjesë, sepse ne kishim gabim.
Nëse dikush që proteston ka të drejtë, e drejta është me të dhe jo me mua. Protestuesit i kam trajtuar me respekt, madje edhe protestat e opozitës asnjëherë nuk i kemi trajtuar me mungesë respekti”, tha ai.
