Skip to content

Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm/ Universiteti i Tiranës nënshkruan marrëveshje me CVE, praktika pune për studentët

Sot, më 16 Mars 2022 Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Qendra CVE) e përfaqësuar nga drejtuesja Znj. Lejdi Dervishi ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi për Parandalimin e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm me Rektoratin e Universitetit të Tiranës të përfaqësuar nga Rektori, Prof. Dr. Artan Hoxha.

Kjo Marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm për parandalimin e radikalizmit në Shqipëri pasi ngre një mekanizëm efikas të zhvillimit të kapaciteteve dhe burimeve njerëzore të nevojshme për monitorimin dhe bashkëveprimin ndaj fenomeneve dhe formave të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe në angazhimin e institucioneve në konsolidimin e një shoqërie që mbështetet në barazinë dhe liritë themelore të individit, në shtetin e së drejtës, në paqen dhe harmoninë e bashkëjetesës kulturore, etnike dhe ndër fetare.

Znj. Lejdi Dervishi theksoi se Marrëveshja mes Qendrës CVE dhe Universitetit të Tiranës do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit mbi format e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Rektori, Prof. Dr. Artan Hoxha, shprehu interesin e Universitetit të Tiranës për të luajtur një rol themelor në ndikimin dhe përmirësimin e njohjes dhe formimit profesional dhe akademik të kandidatëve për të ushtuar profesionet e ndryshme të mësuesit, psikologut, punonjësit social, etj. si dhe në trajtimin profesional dhe akademik të faktorëve që nxisin radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm në komunitet.

Në vijimësi të propozimit të Drejtorit, Znj. Dervishi, për të mundësuar praktikat e punës dhe shkëmbimin e eksperiencave me studentë në nivel kombëtar dhe rajonal, Rektori, Prof. Dr. Hoxha u angazhua në promovimin dhe shpërndarjen e Marrëveshjes në gjithë Fakultetet e Universitetit të Tiranës me profile në profesionet me interes për aktivitetin e Qendrës CVE.

Rektori, Prof. Dr. Hoxha, nënvizoi angazhimin maksimal të Rektoratit për realizimin e nismave dhe aktiviteteve të përbashkëta në kohë të shpejtë dhe në mënyrë konkrete për përfshirjen e kandidatëve në proceset e Qendrës CVE, kryesisht në proceset e Rehabilitim-Riintegrimit, në fuqizimin e rrjetit të kërkuesve për radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, dhe në angazhimin institucional për ndryshime ligjore në fushat me interes të përbashkët të institucioneve.

Marrëveshjet e Bashkëpunimit që ka nënshkruar Qendra CVE deri më sot vendosen në kuadër të misionit koordinues me institucione publike, private dhe shoqërinë civile për parandalimin e radikalizmit dhe kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri dhe përfaqësojnë një nga praktikat më të mira që e kanë cilësuar Qendrën CVE si një institucion referencë ne Ballkanin Perëndimor për kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm.

/faxweb