Skip to content

E vogël thoshte se do të bëhej ushtare, infermierja kosovare befasohet nga veterani amerikan

Shpresa Islami jeton prej dekadash në SHBA që prej largimit nga Kosova gjatë luftës. Kur ishte 11 vjeçare dhe ushtria amerikane u erdhi në ndihmë, ajo i kishte thënë prindërve se donte të bëhej ushtare.

Me të ardhur në SHBA e me kalimin e viteve, Shpresa studioi për infermieri. Duke punuar në një qendër mjekimi të veteranëve ushtarakë në New York, ajo pati një takim me një ish ushtarak. Rastësisht të dy nisën një bisedë të shkurtër, ndërsa veterani i tregoi se dikur kishte qenë pjesë e forcave që ndërhynë në Kosovë.

“Zakonisht, nuk i pyes pacientet për jetën e tyre, por krejt rastësisht u zhyta në bisedë më një veteran. Ai e përmendi Kosovën si vend ku kishte shërbyer më 1999, ndërsa më tha se ‘është një vend I vogël në Evropën Lindore, për të cilin me gjasë nuk ke dëgjuar asnjëherë’. Kur e tha ai këtë, unë u emocionova shumë. Menjëherë ia ktheva ‘Oh! Unë jam nga Kosova. Dhe isha atje më 1999. Amerikanët e evakuuan familjen time”, tregoi Islami.

 “Unë i thirra menjëherë prindërit e mi dhe iu thash: ‘Nuk do ta besoni. Unë sapo e takova një ushtar që kishte shërbyer në Kosovë dhe munda të bëj diçka për të. Ani se ia dhashë vetëm një vaksinë, për mua ky ishte moment falënderimi’. E babai ma ktheu ‘ E sheh? Ti e gjete mënyrën për ta kthyer të mirën, pa pasur nevojë të bëhesh ushtare”.