Eksperti i shëndetit publik Erion Dasho ka qenë i ftuar në Fax Neës, ku ka folur në lidhje me një dokument të publikuar prej tij disa ditë më parë, ku mjekëve të familjes i kërkohej që të mos rekomandonin pacientë për të bërë analiza.

Dasho tha se ata persona që kanë dhënë atë urdhër duhet të merren nën hetim, për shkak se rrezikohet shëndeti i popullatës. Sipas ekspertit, kjo gjendje është shkaktuar nga korrupsionet e dhëna në sektorin e shëndetësisë, të cilat kanë treguar se kanë qenë në shumë raste problematike.

”Ai ka qenë një dokument skandaloz, që tregon se shëndetësia në vendin tonë po arrin fundin. Situata të tilla nuk ndodhin në asnjë vend të zhvilluar, në asnjë vend europian, diagnoza laboratorike është baza, mjeku nuk mund të bëjë parashikime, pa bërë analiza. Është njësoj si ti thuash mjekut, lejo që të rrezikohet jeta e qytetarëve.

Në kushtet kur koncensionari ka kushte për të bërë analiza, pasi ti ke arritur fondin limit, kjo është kriminale. Ky është një fenomen, që duhet të nxisë prokurorinë direkt për të hetuar, është një fenomen shumë i rëndë. Që të ketë kapacitete, dhe drejtues që nuk kanë asnjë lidhje me sistemin shëndetësor, minimumi duhet të hetohen, dhe të analizojnë përgjegjësitë.

Nuk është problemi te spitalet rajonale, por te ministria e shëndetësisë, dhe te mënyra si është hartuar marrëveshja me koncensionarin. Mjekësia prej shumë dekadash ka ecur në rrugën e standartizimit.

Kjo shkaktohet si pasojë e koncensioneve që janë dhënë në shëndetësi, ku janë kompanitë ato që lobojnë për të marrë shërbimin që jo gjithnjë është i domosdoshëm”, tha Dasho.

Ndërkohë sa i takon pandemisë së shkaktuar nga Covid 19, Dasho tha se më e keqja ka kaluar, edhe pse në Shqipëri autoritetet nuk duhet të flejnë mbi ‘dafina’, sa kohë që ka një numër të kartë të popullsisë së pavaksinuar.

“Ishte një virus që ndryshonte më shpejt nga sa ishte parashikuar, ishte e pritshme shfaqja e variamnteve të ndryshme të Covid. Sot situata është ndryshe, një pjesë e mirë e popullatës e ka kaluar Covid, një pjesë dërrmuese është vaksinuar, në Shqipëri situata është shumë më pak pozitive se në Europë, por duke kombinuar personat që e kanë kaluar sëmundjen dhe atyre të vaksinuar përqindja e imunitetit është e lartë.

Nuk mund të flemë mbi dafina, pasi variantet e reja në popullatat me rrisk, mund të shkaktojnë sëmundje, sa më i fortë të jetë imuniteti, aq më pak ka rrisk që të rikthehen infektimet masive”, u shpreh Dasho.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re