Skip to content

Alqi Bllako u arratis? Reagon më në fund Policia e Shtetit: Ja ku ndodhet

Ka marrë fund misteri i vendndodhjes së ish-deputetit socialist Alqi Bllako, i cili zyrtarisht sipas drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit është vetëdorëzuar gjatë ditës së djeshme.

Sipas policisë Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.

Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme pati një sërë aludimesh se Bllako mund të ishte arratisur jashtë vendit, sa kohë që nga policia nuk kishte asnjë raportim zyrtar mbi vetëdorëzimin apo arrestimin e tij.

Bllako akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në lidhje me procedurat e ndjekura për shpalljen e kompanisë fituese për inceneratorin e Fierit.

Në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së mjedisit, Bllako së bashku me eprorin e tij Lefter Koka, akuzohen për falsfikim dokumentesh duke favorizuar kompaninë e biznesmenit Klodian Zoto, ky i fundit ende në kërkim.

SPAK njoftoi 3 ditë më parë, se kishte sekuestruar një apartament me vlerë afro 15 milionë lekë të reja, në emër të babait të ish-deputetit, i cili dyshohet se ishte përfituar përmes korrupsionit.

3 ditë më parë, SPAK ekzekutoi 9 urdhër arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit. Ndërkohë u lëshuan edhe 5 urdhër-arreste të reja për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Nga 9 urdhër arrestet, 7 ishin masa sigurie ‘arrest me burg’ dhe 2 në arrest shtëpie.

Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë ‘arrest me burg’, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohen zyrtarisht nga Prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Zoto vijon që të mbetet në kërkim, së bashku me Stela Gugallian.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb