Kryeministri i Kuvajtit, Sabah Al-Khalid Al-Sabah, sot i paraqiti dorëheqjen e qeverisë së tij princit të kurorës Mishal Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KUNA.
Agjencia nuk dha detaje të mëtejshme në lidhje me arsyen e dorëheqjes, e cila vjen një javë para votimit të mosbesimit ndaj kryeministrit të Kuvajtit.
Pas seancës parlamentare, 10 deputet kuvajtianë dorëzuan kërkesë për votim mosbesimi ndaj kryeministrit të vendit, të planifikuar të mbahet të mërkurën.
Deputetët akuzojnë kryeministrin e Kuvajtit për “kryerje të praktikave antikushtetuese, shkelje të interesave të qytetarëve dhe dështim në bashkëpunim me institucionin legjislativ”.
Sheikh Sabah Al-Khaled formoi qeverinë tre herë në rreth një vit e gjysmë, në dhjetor 2020, mars 2021 dhe dhjetor 2021.
Ai gjithashtu paraqiti dorëheqjen e qeverisë së tij dy herë, në janar 2021 dhe nëntor 2021.
Burimi: AA